Lajme
Ischinger: Të gjitha shtetet e BE-së duhet ta njohin Kosovën
Demokracia
12:21 | 11 Qershor 2022

Share:

Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, ka thënë se Kosovën do të duhet që ta njohin të gjitha shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian.

Këto komente Ischinger i ka bërë në rrjetin social “Twitter”, pas vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkanin Perëndimor, duke e përgëzuar për gjuhën e qartë ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

“Bravo Olaf Scholz: Gjuhë e qartë për Beogradin mbi temën e njohjes së Kosovës nga Serbia! Megjithatë, do të ishte më e dobishme nëse të gjitha anëtaret e BE-së do ta njihnin Kosovën së pari: ka ende shumë për të bërë!”, ka shkruar Ischinger.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi më 10 qershor se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës. Ai këto deklarata i bëri gjatë një vizite në Prishtinë, pas së cilës vizitoi edhe Beogradi ku porositi se si një vend kandidat për anëtarësim në bllok, Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz porositi se duhet të ketë qëndrim konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, tha Scholz./Demokracia.com/

 

Të ngjashme