Sport
Krasniqi bën homazhe tek varri i Fadil Vokrrit: Na mungon shumë, ishe shembull i sportistit
Demokracia
13:41 | 09 Qershor 2022

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka vizituar sot varrin e ish-kryetarit të FFK-së dhe legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit në përvjetorin e katërt të vdekjes së tij.

Krasniqi nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook ka ndarë disa fotografi teksa ka bërë homazhe tek varri i Vokrrit, ndërsa e ka kujtuar atë si një shembull të sportistit.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Sot bëhen katër vjet që kur legjenda e futbollit tonë, Fadil Vokrri, na la fizikisht. Pa lamtumirë, pa zhurmë, pa ankesa – ashtu siç jetoi për gati 58 vjet.

Përtej sukseseve të tij si futbollist i papërsëritshëm, Kryetar i jashtëzakonshëm i FFK-së, Fadili na mungon edhe më tepër si njeri e personalitet, që në vete ngërthente virtyte të larta njerëzore.

Modest, punëtor i madh e gjithmonë i këndshëm me të gjithë. Mik besnik e i dashur, me të cilin shumë sfida e suksese i kemi kaluar me një buzëqeshje në fund.

Miku im Fadil, faleminderit për shembullin e sportistit elitar, për ndërkombëtarizimin e futbollit tonë dhe për miqësinë e sinqertë. Na mungon shumë./Demokracia.com/

Të ngjashme