Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për mospërfshirjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ndryshimin e Projektligjit për Pagën Minimale, ku veteranët s’do të përfshihen në këtë rritje.
Në një prononcim për Demokracia.com, Mustafa ka thënë se askush nuk mund të jetojë me 170 euro në këtë krizë.
“Askush nuk mund të jetojë me 170 euro në këtë kohë të krizës”, tha ai.
Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se veteranët duhet të sigurohen që përkrahja financiare për ta lëvizë me trendet e lëvizjes së të ardhurave për kategoritë e tjera.
“Shprehem për veteranët e vërtetë, jo për të tjerët”, tha Mustafa.
Veteranët e UÇK-së protestuan të hënën kundër këtij diskriminimi.
Ata thyen rrethojat e Kuvendit të Kosovës dhe hynë në oborrin e Kuvendit në sallën e të cilit deputetët po përgatiteshin të shqyrtonin këtë projektligj.
Të hënën, Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për ta votuar Projektligjin për Pagën Minimale.
Kjo ishte fitorja e parë e veteranëve të UÇK-së përballë Qeverisë së Albin Kurit, shkruan Demokracia.com.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk kaloi mocioni i propozuar nga PDK-ja për heqjen nga votimi i Ligjit për Pagën Minimale, i cili nuk ka arritur t’i marrë votat e duhura.
Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi ndërpreu punën.
“Vetëm 51 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje”, tha Kryeparlamentari Glauk Konjufca. /Demokracia.com/