Zekirija Ramadani ka marrë zyrtarisht drejtimin e SC Gjilanit.
Tekniku shkupjan ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me “kuqebardhët” me opsion për zgjatje të bashkëpunimit.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Gjilanit përmes një komunikate, shkruan Demokracia.com.
“Sport Club Gjilani me kënaqësi komunikon angazhimin e trajnerit Zekirija Ramadani. Drejtuesit dhe tekniku 44 vjeçarë kanë gjetur akordin për kontratë dy vjeçare, me opsion për zgjatje të bashkëpunimit”.
“Ramadani vjen me një eksperiencë të pasur nga drejtimi i shumë klubeve dhe shumë trofeve të fituar, ndër të tjerash si tri herë kampion i Kosovës me tri skuadra të ndryshme”, thuhet në komunikatën e klubit gjilanas.
Demokracia.com kishte raportuar mbrëmjen e 1 qershorit se Ramadani kishte arritur marrëveshje përfundimtare me drejtuesit e klubit nga Anamorava, me t’u larguar nga Egnatia.
Zekirija Ramadani largohet nga Egnatia, arrin marrëveshje me Gjilanin
Zekirija Ramadani do ta zëvendësojë Ismet Munishin i cili ka marrë drejtimin e Prishtinës pas largimit nga Gjilani.
Ramadani ishte edhe në të kaluarën pjesë e Superligës së Kosovës, madje duke u stolisur me titull të kampionit tri herë.
44-vjeçari fitoi titullin me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën para një edicioni./Demokracia.com/