Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll Drita, ka zbarkuar sot në Antalia të Turqisë, aty ku do ta kryej një fazë të përgatitjeve për stinorin pranveror në Superligën e Kosovës, si dhe do ta zhvillojë duelin e Superkupës kundër Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
Drita të shtunën do të ndeshet me Prishtinën, në një sfidë që zhvillohet për herë të parë në histori të futbollin tonë jashtë territorit të Kosovës.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit klubi jonë ka udhëtuar për në Antalia të Turqisë, për të vazhduar me përgatitjet për sezonin pranverorë.
Nga gjashtë janari klubi ka filluar me fazën e parë të përgatitjeve dhe tani për fazën e dytë ekipi ka arritur në Antalia të Turqisë, ku do t’i bëjnë përgatitjet e fundit para fillimit të sezonit pranverorë.
Ekipi është vendosur në IC Green Hotel në Lara të Antalias, ku ka udhëtuar i kompletuar dhe të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë fizike për këtë faze”, ka shkruar KF Drita në “Fcebook”, duke njoftuar edhe për aktivitetet që do t’i ketë atje.
”Gjatë kësaj faze, klubi ka paraparë që t’i zhvillojë katër ndeshje kontrolluese duke e llogaritur edhe ndeshjen e Superkupës me Prishtinën e cila njëherësh është edhe ndeshja e parë zyrtare ku dy ekipe kosovare zhvillojnë një finale jashtë shtetit”, përfundon njoftimi i Dritës.
Për kundërshtarët dhe datat e ndeshjeve kontrolluese skuadra do të njoftojë në ditët në vijim. /Demokracia.com