Lajme
Deputeti i LVV-së del kundër Kurtit, mbështet kërkesat e veteranëve të UÇK-së
Demokracia
12:28 | 06 Qershor 2022

Share:

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po protestojnë sot para Kuvendit të Kosovës. Ata po ndjehen të diskriminuar për mospërfshirjen e tyre në ngritjen e pagës minimale.

Veteranë të pakënaqur me Qeverinë sot kanë hyrë me forcë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë thyer rrethojat e Kuvendit të Kosovës, duke bërë që të intervenojë Policia e Kosovës dhe të hedhin gaz lotsjellës.

Kërkesën e tyre e ka mbështetur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli.

Ai ka thënë për Demokracia.com se është në mbështetje të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Po, e mbështes. Kërkesa e tyre është e drejtë”, ka thënë shkurtër Humolli për Demokracia.com.

OVL – UÇK po kërkon nga deputetët që të mos miratohet ndryshimi i ligjit nëpërmjet të cilit veteranët përjashtohen nga ndryshimi i pagës minimale.

Sot, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se nëse ndodh eskalimi, përgjegjësia bie mbi Qeverinë.

“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi, pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta. Por, nëse kjo ndodh, përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.

Madje, ai ka kërkuar që edhe vetë kryeministri Kurti të hetohet për këtë nismë.

“Në vend që kjo qeveri t’u përgjigjet kërkesave tona për ngritjen e beneficioneve. Në vend që kjo qeveri ta zbatojë ligjin që ka dalë nga Parlamenti, kjo insiston që ta largojë kategorinë e veteranëve, që lidhen me pagën minimale. Kam thënë edhe një herë, po e them edhe sot: në shtetet demokratike, në shtetet që kanë institucione, një kryeministër i tillë do të duhej të hetohej”, ka thënë Jashari.

Kurse U.D. kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka deklaruar se Qeveria e ka për obligim plotësimin e kërkesave për kategoritë e dala nga lufta.

“Ka një muaj që qeveria e di se do të bëjmë protesta. Po i shihni se po luftojnë se cili ka shku me i vizitu më shumë krerët e UÇK-së në Hagë. Qëllimin kryesor e kanë që ta trullosin opinionin që të mos dalin masa në protestë, se gjoja këtë janë për UÇK-në. Ata s’kanë nevojë për vizita, ata kanë nevojë me obligimet ligjore me pagesa që i kanë, sepse krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë as për mua, ata kanë nevojë për familjen, por shteti duhet të përkujdeset për ata”, ka thënë Klinaku.

Kuvendi i Kosovës sapo ka nisur të shqyrtojë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ky projektligj, sipas Qeverisë, ndryshon dhe plotëson edhe Ligjin për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 05/L-141.

Ligji për veteranët tregon se pensioni i veteranëve nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale.

Protesta e veteranëve të UÇK-së po mbështetet nga Lëvizja për Bashkim (LB) dhe nga Partia Socialdemokrate (PSD). /Demokracia.com/

Të ngjashme