Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, erdhi në pushtet me shumë premtime dhe një pjesë të madhe të tyre i shkeli. Njëjtë ndodhi edhe me dialogun me Serbinë, çështje për të cilën i kishte kritikuar shumë pasardhësit e tij në pushtet.
Kryeministri Kurti vazhdimisht kishte deklaruar se nuk mund të ketë dialog pa vendosjen e kushteve ndaj Serbisë, por në tavolinë me Aleksandar Vuçiqin, ai u ul pa asnjë kusht, përcjell Demokracia.com.
Përveç që u ulën në tavolinën e dialogut, Kurti e Vuçiq u ulën edhe në tavolinën e darkës.
Ata në maj të këtij viti kanë darkuar në Berlin bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ditë më parë tha se të dy kanë marrë pjesë edhe në një darkë tjetër më herët, në kuadër të darkave jo-formale të organizuara nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, përcjell Demokracia.com.
Cilat ishin pesë kushtet e Kurtit, që thoshte se duhej vendosur ndaj Serbisë në dialog?
Në vitin 2012, pa e provuar ende pushtetin, Kurti kritikonte shumë politikanët e asaj kohe që ishin në krye të vendit, pasi kishin nisur të dialogonin me Serbinë.
Kryetari i LVV-së kishte radhitur pesë kushte, të cilat partia e tij i konsideronte të domosdoshme për t’ia vënë Serbisë, në mënyrë që të arrihej normalizimi i marrëdhënieve.
“Kushti i parë është legal dhe juridik: Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ta ndryshojë Kushtetutën e saj, ku thotë që Kosova është pjesë e Serbisë. Kushti i dytë është moral dhe humanitar: Serbia të japë informacione dhe të na i kthejë 1750 të pagjeturit. Kushti i tretë është politik: Serbia të pushojë së financuari strukturat paralele e ilegale të saj, të cilat janë edhe armiqësore e edhe kriminale, të financuara nga buxheti i shtetit të Serbisë dhe t’i shpërbëjë ato, ndërkaq në anën tjetër ta pushojë terrorin, shtypjen politike dhe shfrytëzimin ekonomik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Kosovën Lindore. Kushti i katërt është kushti i drejtësisë: Serbia duhet që të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë me ç’rast e dimë se i kemi 12 mijë civilë të vrarë dhe afër 20 mijë gra të dhunuara, por në anën tjetër edhe Prokuroria e shtetit të Serbisë të merret me ata dhjetëra mijëra kriminelë që bënë krime në katër luftëra në ish-Jugosllavi. Kushti i pestë është zhdëmtimi: pas kërkimfaljes së Serbisë, me ç’rast ajo e pranon fajin, do të duhej që të na i paguajë dëmet e luftës, të na kthejë Fondin Pensional, depozitat bankare, artefaktet kulturore, regjistrat civilë si dhe dokumentacionin kadastral që i ka plaçkitur”, kishte deklaruar Kurti.
Borrell ditë më parë ka deklaruar se pret që Kurti e Vuçiq të takohen sërish para verës.
Ai shtoi se të gjitha palët janë dakord që të ulen sërish në tavolinën e dialogut, por sipas tij e kanë problem që të përparojnë./Demokracia.com/