Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska ka vizituar qendrën kulturore bullgare në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut, pasi ndërtesa u përfshi nga flakët paraditen e së shtunës.
Djegia e qendrës kulturore ‘Ivan Mihajllov’, e cila dyshohet se është e qëllimshme vjen në një kohë kur kryediplomatja bullgare udhëtoi për në Shkup për t’u takuar me homologun e saj maqedonas Bujar Osmani në kuadër të vazhdimit të dialogut mes dy vendeve me qëllim zgjidhjen e kontestit të vetos që mund t’i hapë rrugë Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian.
Sofja e dënoi djegien e qendrës kulturore. Nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Iotova e quajti djegien e tij si një provokim tjetër të fushatës antibullgare nga Maqedonia e Veriut.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidenti maqedonas Stevo Pendarovski e dënuan sulmin ndaj klubit bullgar.
Të dy zyrtarët e lartë të shtetit thonë se akti është një provokim nga aktorë të tretë që janë të interesuar për prishjen e marrëdhënieve përfundimtare të Shkupit me Sofjen.
Ata po ashtu apeluan për hetime të hollësishme me qëllim ndalimin e dhe kapjen e ngjarjes së paprecedentë, shkruan oranews.
Qendra kulturore bullgare u hap në mes të muajit prill në mes të debateve mes dy shteteve fqinje.
Lidershipi maqedonas e kritikoi fort hapjen e një klubi të tillë pasi pretenduan se Vanço Mihajllov ose Ivan siç njihet në Bullgari ka qenë një bashkëpunëtor i nazistëve, ndërkohë që Sofja e nderon si hero.
Mihajllov pretendonte se maqedonasit ishin pjesë e popullit bullgar.