Dje në një konferencë për media, Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministrin Fikrim Damka, se përmes një marrëveshje të lidhur me “Caritas”, kanë keqpërdorur 1.1 milion euro.
Ministria e Zhvillimit Rajonal që drejtohet nga ministri Fikrim Damka dhe vetë Gërvalla kanë reaguar pas denoncimit të PDK-së, duke mohuar akuzat.
Ndërkohë sot ka reaguar organizata Caritas Kosova me seli qendrore në Ferizaj, duke u distancuar nga një zhvillim i tillë dhe duke sqaruar se Caritas Kosova s’ka të bëjë fare me një gjë të tillë dhe se janë ngatërruar me Caritasin Zviceran.
Nga kjo organizatë kanë thënë se janë organizata e vetme që njihet nga Kisha Katolike si organizatë humanitare dhe që ka legjitimitetin për të vepruar me këtë emër, dhe theksojnë se funksionimi i organizatave të tjera me të njëjtin emër në Kosovë është shkelje flagrante në reputacionin dhe emrin e Caritas Kosova.