Reperja Doruntina Shala, e njohur si Tayna, së bashku me menaxherin e saj Rinor Hykolli, ndonëse nuk njihen për ndonjë promovim që ia bëjnë Kosovës nëpër botë, ata ia kanë dalë të sigurojnë pasaporta diplomatike me rekomandim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në listën e personave të pajisur me Pasaportë Diplomatike të Republikës së Kosovës, të cilën e ka siguruar Demokracia.com, figurojnë edhe emrat e reperes dhe menaxherit të saj.
Doruntina Shala, e njohur për publikun si Tayna dhe menaxheri i saj, Rinor Hykolli, i përfolur për probleme me ligjin, janë ndër personat që kanë në posedim pasaporta diplomatike.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar Hykollin, por ai përkundër që kishte premtuar të kthente përgjigje rreth kësaj çështje, një gjë të tillë nuk e ka bërë.
Në nëntor të vitit 2021, Hykolli ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me një vit burgim efektiv, pasi dyshohej se i kishte shkaktuar lëndime trupore Liridon Bajramit, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme.
Vlen të theksohet se Demokracia.com të shtunën ka raportuar se me pasaportë diplomatike është pajisur edhe disenjatori Valdrin Sahiti.
Ky i fundit për Demokracia.com ka refuzuar të tregojë se kur është pajisur me këtë dokument diplomatik.
Sahiti së fundmi është angazhuar edhe si stilist personal i presidentes Vjosa Osmani, ku shumë shpesh janë parë së bashku.
Presidentja Osmani disa ditë më parë mori pjesë në sfilaten e organizuar nga Valdrin Sahiti, ku për media deklaroi se ky i fundit e kishte bindur që “t’i feniratë flokët pas 12 vitesh”.
Demokracia.com e posedon listën e plotë të të pajisurve me pasaporta diplomatike, por meqë pjesë e saj janë edhe disa punonjës të institucioneve të ndjeshme të sigurisë së vendit dhe rreth 90 për qind e poseduesve të pasaportave diplomatike janë familjarë të stafit diplomatik dhe konsullor, që u takon ligjërisht pajisja me pasaporta diplomatike, ka vendosur të mos e bëj publike.
Kush pajiset me pasaportë diplomatike?
Në Ligjin nr. 03/L-037 për Dokumentet e Udhëtimit jepen detaje edhe për pasaportat diplomatike.
Aty theksohet qartë se politikanët janë ata që pajisen me pasaportë diplomatike dhe në disa raste, edhe familjarët e tyre.
“Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura, korrierëve diplomatikë dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë të nenit 10 të këtij ligji, përcjell Demokracia.com.
Në këtë dokument precizohet se afati i vlefshmërisë së pasaportës diplomatike është për pesë vite.
Sahiti është disenjator i njohur në Kosovë, i cili biznesin e tij thuhet se e ka shtrirë edhe jashtë vendit. Ai kujdeset vazhdimisht për dukjen e presidentes Vjosa Osmani, e cila javë më parë ishte e pranishme edhe në sfilatën e fundit të tij, ku tha se “Valdrini e ka bindur t’i feniratë flokët pas 12 viteve”.
Demokracia.com e ka pyetur Sahitin edhe nëse paguhet nga presidentja Osmani për stilimin e saj apo po e bën gratis një gjë të tillë, por as në këtë pyetje ai nuk është përgjigjur./Demokracia.com/
LEXO EDHE:
DOKUMENT| Kreatori që stilon Vjosa Osmanin i pajisur me pasaportë diplomatike