Një sondazh i ri, i kryer në vendet evropiane, zbulon se 79% e tyre kanë mendim negativ për shoferët e tjerë nëpër rrugët e qyteteve të tyre, por sigurisht, 97% mendojnë se vetë janë shoferë të mirë.
Studimi u realizua nga kompania Ipsos, me 12400 shtetas të vendeve evropiane, në mars 2002, për llogari të “Vinci Autoroutes”, firmës që administron autostradat franceze.

Sondazhi del gjithashtu në përfundimin se paragjykimet për kombësitë e ndryshme, shpesh, dalin të vërteta. Vetëm 16% e italianëve thanë se bashkëkombësit e tyre janë të sjellshëm në timon, ndërsa 14% e francezëve pranojnë se janë të stresuar kur ngasin makinën. Ndërsa 68% e britanikëve thanë se bashkëkombësit e tyre janë të kujdesshëm teksa ngasin makinën.
Të pyetur për të gjykuar sjelljen e shoferëve nga shtete të tjera, gjërat ndryshojnë. Gjermanët thanë se vetëm 30% e shoferëve të shteteve të tjera ishin agresivë në timon. Më kritikët ishin spanjollët dhe britanikët, 70% e të cilëve thanë se shoferët e vendeve të tjera kishin probleme.
Sidoqoftë, vendin e parë për ankesa e mbajnë grekët, të cilët thonë se 91% e shoferëve europianë nuk e ngasin makinën si duhet.
Grekët gjithashtu renditen në vend të parë për përdorimin e telefonit në timon, pasi 77% e tyre pranuan se bëjnë telefonata teksa ngasin makinën, ndërsa 83% pranuan se përdorin telefonin për veprime të tjera. Në vend të fundit për këtë kategori, renditen spanjollët, 62% e të cilëve pranojnë se përdorin telefonin në timon.
Grekët gjithashtu u renditën të parët për ngarje të makinës në mënyrë të rrezikshme. 30% e tyre pranojnë se i japin makinës me shpejtësi, kalojnë semaforin me të kuqe, nuk ngadalësojnë kur ka punime në rrugë dhe nuk mbajnë distancë sigurie mes makinave.
Sondazhi u publikua në prag të pikut të sezonit turistik në Greqi, ku pushues nga e gjithë Europa dhe bota mblidhen në rrugët – shpesh të ngushta – të ishujve dhe qyteteve bregdetare greke.