Gjashtë kandidatë po e pretendojnë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Demokracia.com nga burime brenda UP-së ka mësuar emrat e këtyre gjashtë kandidatëve dhe ata janë Esat Kelmendi, Milaim Mazreku, Besfort Krasniqi, Gazmend Shabaj, Saranda Lekaj dhe Jeton Hyseni.
Kjo pozitë, siç mësohet nga burime brenda Rektoratit, po synohet t’i jepet sërish ish-sekretarit Esat Kelmendi, i cili i ka konsumuar mandatet e lejuara me ligj.
Demorkacia.com për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në Rektoratin e UP-së, adresën elektronike të Naser Sahitit dhe të Këshillit Drejtues të këtij universiteti, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Më 24 janar, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” vendosi që të shpallej konkurs publik për pozitën e Sekretarit të UP-së, duke mos ia vazhduar mandatin ish-sekretarit Esat Kelmendi. Me mos vazhdimin e mandatit të ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, rektori Naser Sahiti me ndikimin e Kelmendit e kishte emëruar ushtrues të detyrë së Sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqin, kurse ish-sekretari Kelmendi ishte emëruar Drejtor i Zyrës Ligjore të UP-së.
Universiteti i Prishtinës që nga fundi i vitit 2017 e deri më 28 janar të këtij viti kishte qenë pa drejtor të Zyrës Ligjore.
Sipas Statutit të UP-së, sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij, e cila nënshkruhet nga rektori.
Po ashtu, statuti thekson se sekretari i universitetit zgjidhet nga Këshilli Drejtues, sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik.
Në janar, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës (UP), mori vendim që të mos i vazhdohet edhe një mandat si Sekretar i Përgjithshëm, Esat Kelmendit. Për vazhdimin e mandatit të Kelmendit ishin 3 vota për, 4 kundër dhe 2 abstenime, derisa votimi ishte i fshehtë.
Tash e disa muaj, vazhdimi ose jo i mandatit të ish-sekretarit Esat Kelmendi, ka kaluar në duar të Këshillit Drejtues të UP-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme e deri tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
E gjithë historia ka filluar kur rektori i UP-së, Naser Sahiti, e emëroi si U.D. ish-sekretarin që kjo pozitë të mos mbetej vakante dhe kërkoi interpretim ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës nëse mund t’i vazhdohej mandati Esat Kelmendit. Por, ministria kishte lëshuar dy interpretime ligjore në të njëjtën ditë në nëntor të vitit 2021, mirëpo me interpretime të kundërta me njëra-tjetrën për vazhdimin ose jo të mandatit të sekretarit dhe e kishte vështirësuar vendimmarrjen për këtë pozitë.
MPB-ja më pas në dhjetor kishte sqaruar se KD i UP-së duhet ta marrë për bazë mendimin e tyre këshillimor, që thuhet se nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit të sekretarit.
Pas kësaj situate, rektori Naser Sahiti me kërkesë të Këshillit Drejtues kishte kërkuar mendim juridik edhe tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Më 18 janar, KPMShCK-ja i ishte përgjigjur shkresës së rektorit, duke thënë se pozita e Sekretarit të UP-së, sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, klasifikohet si pozitë e nivelit të lartë drejtues.
Esat Kelmendit i ishte vazhduar kontrata në vitin 2018 për tri vite si sekretar nga ish-anëtarët e Këshillit Drejtues pa konkurs, duke u bazuar në një shkresë të ish-rektorit Marjan Dema, ku i kërkonte atyre që kontrata e Kelmendit të vazhdohej me automatizëm për shkak “të arritjeve të tij në këtë pozitë për pesë vitet e fundit”. /Demokracia.com/