Robert Golob, politikani slloven që u bë shumë i njohur për lexuesit kosovarë gjatë muajve të fundit për shkak të aferës financiare ku u përfshi edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është zgjedhur kryeministër edhe nga Kuvendi i Sllovenisë.
Mediat e huaja kanë raportuar se deputetët e parlamentit slloven e kanë zgjedhur atë kryeministër në një votim 54 me 30, përcjell Demokracia.com.
Menjëherë pasi u betua, Golob paraqiti përbërjen e tij të kabinetit në parlament, derisa tha se synimi është që qeveria të fillojë punën deri më 3 qershor.
Afera e GEN-it në Serbi, Berishajt dhe Golobit
Sipas televizionit slloven, Planet TV, rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit, thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.
Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.
Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.
Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij. Prej të premtes, nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër nga ai, përcjell Demokracia.com.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani në një përgjigje fillimisht e kishte cilësuar si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë ajo e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.
Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik të mirë ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.
Afera Golob dhe Berishaj, që nxiti më së shumti debate në Slloveni gjatë kësaj jave, ishte top-skandal financiar rajonal. /Demokracia.com/