Sport
Finalja Drita – Llapi, forma e dy skuadrave në pesë takimet e fundit dhe përballjet e ndërsjellta
Demokracia
10:38 | 26 Maj 2022

Share:

E gjithë vëmendja e futbolldashësve kosovar do të jetë sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Drita dhe Llapi do të ballafaqohen në finalen e Kupës së Kosovës me fillim nga ora 20:00, raporton Demokracia.com.

Skuadra gjilanase do të kërkojë ta rikthej në Gjilan trofeun e Kupës që i mungon tash e 20 vjet.

Llapi në taborin tjetër synon ta mbrojë trofeun, për faktin se edhe edicionin e kaluar triumfuan për herë të parë në Kupë.

Interesimi për këtë sfidë është jashtëzakonisht i lartë e që pritet të ketë numër të madh të tifozëve nga dyja anët.

PËRBALLJET E FUNDIT

Marrë parasysh pesë përballjet e fundit të zhvilluar nga dyja skuadrat, Drita ka bilanc më të mirë sesa llapjanët.

Në pesë ndeshjet e fundit të luajtura, Drita ka dy fitore, tri barazime dhe asnjë disfatë.

E njëjta nuk mund të thuhet edhe për skuadrën e Llapit. Futbollistët e Tahir Batatinës në pesë duelet e fundit ka regjistruar katër humbje radhazi dhe një barazim.

PESË DUELET E FUNDIT DIREKTE MES DRITËS DHE LLAPIT

“Bardhekaltrit” nga Gjilani edhe në sfidat të ndërsjellta kanë bilanc me të mirë sesa ekipi nga “Zahir Pajaziti”.

Drita në pesë përballjet e fundit kundër Llapit kanë dy fitore, dy barazime, ndërsa Llapi ka një fitore.

“Intelektualët” në këto pesë ndeshje të fundit direkte kanë regjistruar tetë gola, krahas Llapit që ka shënuar pesë herë në portën e Dritës./Demokracia.com/

Të ngjashme