Intervista
Enver Hasani: Kosova të dalë me propozime për çështjet e hapura me Serbinë
Demokracia
14:43 | 25 Maj 2022

Share:

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të tregohen serioze dhe kreative në procesin e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova duhet të arrijë në unitet politik për këtë çështje dhe të dalë me propozime konkrete për çështjet e hapura me Serbinë. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hasani ka vlerësuar se Kosova duhet ta përpilojë statutin dhe aktet tjera juridike të Asociacionit, sipas përcaktimeve kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se Kosova nuk mund t’i shmanget presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë këtë detyrim ndërkombëtar, duke përpiluar statutin dhe aktet tjera juridike të asociacionit, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka theksuar se pala kosovare duhet të tregohet serioze dhe kreative në këtë proces.

Sipas Hasanit, Kosova duhet të dalë me propozime konkrete për çështjet e hapura me Serbinë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka folur edhe rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sipas tij, anëtarësimi në këtë organizatë nuk është vetëm çështje votash.

Pengesë kryesore në këtë proces për palën kosovare po shihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si mund ta shmangë Kosova presionin ndërkombëtar për këtë çështje?

Hasani: Nuk mund të shmanget presioni, sepse bëhet fjalë për një detyrim ndërkombëtar dhe kushtetues. Duhet t’i dilet para këtij detyrimi, duke përpiluar statutin dhe aktet tjera juridike, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit. Çdo gjë është e qartë këtu! Sa më herët, më mirë.

Profesor, Kosova tashmë ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në KE. Cilat janë gjasat e anëtarësimit në këtë organizatë, tani pas përjashtimit të Rusisë?

Hasani: Nuk është vetëpërveti përjashtimi Rusisë faktor përcaktues, por fakti që janë krijuar rrethana të reja të sigurisë me vetëpërjashtimin e Rusisë nga strukturat e sigurisë evropiane. Për pasojë, perëndimorët kanë interes jetik që asnjë pjesë e Evropës të mos jetë nën ndikimin potencial rus. Kosova në këtë mes zë një vend të posaçëm sepse, përmes Këshillit të Evropës, vendi fiton një status të veçantë stabilizues në nivel evropian.

Gjermania dhe Britania kanë shprehur përkrahjen e menjëhershme për anëtarësimin e Kosovës, ndërsa Franca është shprehur më hezituese. Si i keni parë reagimin e këtyre fuqive evropiane?

Hasani: Nuk bëhet fjalë për rivalitet ndërevropian rreth Kosovës dhe vendit të saj në Këshillin e Evropës. Pozicioni i Francës diktohet nga dinamikat populiste të brendshme, më shumë se nga orientimi i saj kundrejt Ballkanit: e djathta ekstreme e ka paraqitur dhe e paraqet Ballkanin si vend me telashe dhe si një barrë evropiane, nga e cila Franca duhet të distancohet dhe të mos bëjë shumë për të. Këtë duhet ta ketë parasysh Kosova dhe të punojë fort me Francën, sepse me kundërshtimin e Francës asnjëherë nuk bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës. Franca nuk është një anëtar i zakonshëm i Evropës, por vetë identiteti i saj, siç e njohim ne sot. Me kundërshtinë e Francës, ne nuk duhet asnjëherë të synojmë futjen në Këshill të Evropës dhe në strukturat tjera evropiane. Duhet pasur shumë kujdes, po e përsëris, që Franca mos të alienohet nga Kosova.

A mund të ekzistojë rreziku i ndërlidhjes së anëtarësimit në KE me procesin e dialogut me Serbinë apo më ndonjë çështje tjetër?

Hasani: Pa asnjë përjashtim, vendet që janë pranuar në Këshill të Evropës kanë plotësuar disa kushte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Në të gjitha rastet, ky pranim është shoqëruar edhe me plotësimin e kushteve që kanë të bëjnë me kontekstin regjional dhe të brendshëm të vendit që kërkon anëtarësim në Këshill. Ato kanë pasur të bëjnë me ligjvënësin, ekzekutivin dhe gjyqësorin. Kështu do të jetë edhe me ne. Ligjvënësit kosovar do t’i kërkohet nxjerrja e ligjeve që promovojnë tolerancën fetare dhe ripërtërijnë siguritë nga Plani Ahtisari sa i përket rolit dhe pozitës së Kishës Ortodokse Serbe dhe respektimit të lirive dhe të drejtave kushtetuese të fituara sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ekzekutivit tonë do t’i kërkohet të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe të respektojë ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe vendimet gjyqësore, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E gjyqësorit do t’i kërkohet më shumë vetëdisiplinim dhe profesionalizëm, me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, duke ia përcaktuar afatet dhe rrugën konkrete që duhet të ndjekë sistemi i drejtësisë për arritjen e këtij qëllimi. Afërisht kështu diçka do të jetë raporti i vlerësimit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, kurdo që ai të bëhet. Mund të kërkojë një kohë që ky vlerësim të prodhohet!

Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim?

Hasani: Nuk është punë votash në kuptimin mekanik të një votimi prej dy të tretave, por çështje vlerësimi që bëhet nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Rasti i vetëm kur ka pasur dallim në mes të Asamblesë dhe Komitetit të Ministrave ka pasur të bëjë me Rusinë: e mbaj mirë në mend, sepse në atë kohë kam qenë në MPJ të Shqipërisë dhe kam mbuluar punën e CAHDI (Komiteti i Këshilltarëve Ligjorë për të Drejtën Ndërkombëtare), një organ i Këshillit, kur Asambleja tha jo, kurse Komiteti e pranoi Rusinë anëtare të Këshillit të Evropës. Pse? Sepse u besua se anëtarësimi i saj në Këshill do ta zbuste sadopak primitivizmin politik të shoqërisë ruse. Doli të ketë qenë një gabim i madh. Në krejt rastet tjera, vlerësimi i Asamblesë ka qenë vendimtar për orientimin e Komitetit të Ministrave për pranim ose jo të anëtarëve të rinj.

Profesor, cili është vlerësimi juaj për politikën e jashtme të Kosovës. A po e shfrytëzon Kosova si duhet agresion rus në Ukrainë?

Hasani: Orientimi i fuqishëm properëndimor i Qeverisë Kurti është për t’u përshëndetur. Njëjtë vlen edhe për pozicionin e Presidentes Osmani, gjithnjë sa i përket agresionit rus në Ukrainë. Përtej kësaj, Kosova nuk ka ditur të kthejë ujin kah mulliri vet, siç e thotë populli, duke ngecur në retorikën anti-Vuçiq, duke besuar verbërisht që politika jashtme e Kosovës rrezaton pozitivitet jashtë vendit nëse ka rezultate në reformim të drejtësisë dhe luftë kundër krimit të organizuar të nivelit të lartë si dhe duke akuzuar Serbinë që nuk po fut sanksione kundër Rusisë, gjë që nuk është punë e Kosovës. Ajo që do të kishte përfituar shumë Kosova pas agresionit rus në Ukrainë është serioziteti ndaj dialogut me qëllim të mbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë, sa më shumë që të jetë e mundur.

Ekziston një mendim i përgjithshëm se me Qeverinë Kurti raportet Kosovë-SHBA nuk janë si më parë. Ky mendim është përforcuar pas vizitës së gjatë të kryeministri në SHBA, i cili nuk u prit nga ndonjë zyrtar i lartë amerikan. Cili është vlerësimi juaj për raportet në mes të dy vendeve?

Hasani: Vizita e Kurtit në SHBA ka qenë e fokusuar në çështje të sigurisë kryesisht: fakti që ka vizituar shtetin që ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë, është shumë pozitiv. Kjo vizitë, edhe në rastin e kësaj qeverie, është shoqëruar me rivalitet nga opozita dhe segmentet tjera të shoqërisë së Kosovës, të cilët paralel shprehin gatishmëri për kryerjen e punëve të caktuara me Serbinë, ato punë që pala zyrtare kosovare nuk është në gjendje t’i kryejë. Në vend të kësaj, mendoj se duhet të përafrohen pozicionet këtu në Kosovë për çështjet kryesore që lidhen me raportin tonë me Serbinë, se sa të ofrohen opsione e gatishmëri individuale për të rivalizuar palën që tregohet e ngurtë në dialog.

Qeveria i ka thënë jo projektit të gazit amerikan. Gjithashtu po refuzohet pjesëmarrja në iniciativën rajonale Ballkani i Hapur, e cila po përkrahet nga BE-ja dhe SHBA-ja. A duhet Kosova ta shqyrtojë pozicionin e saj ndaj këtyre dy projekteve?

Hasani: Gabim i madh ka qenë kjo puna me gazin sepse përfitimet kanë qenë të mëdha në planin gjeo-strategjik. Në rend të parë, Greqia do të ndryshonte qëndrim, njëjtë si Izraeli, kurse vendi ynë do të futej në sigurinë energjetike të rajonit si tërësi. Ne do të futemi aty në fund, por pa asnjë përfitim konkret afatmesëm dhe afatgjatë, pos si faktor pasiv i sigurisë energjetike rajonale. E njëjta vlen edhe për Ballkanin e Hapur: kjo ide, nga qielli shihet, favorizon Serbinë, por jo me paramendim, por me vetë faktin që Serbia ka një preponderancë politike dhe ekonomike më të madhe se të gjitha vendet e rajonit marrë së bashku. Por, kur krejt bëhen bashkë, me Kosovën brenda, Serbia ka më pak ndikim. E njëjta logjikë do të vlejë edhe nëse aktivizohet Procesi Berlinit. Asnjë dallim nuk ka në esencë në mes tyre.

Së fundi, SHBA-ja dhe BE-ja po insistojnë për rezultate në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke aluduar në arritjen e marrëveshjes finale. Mund të presim një dinamikë të re në këtë proces?

Hasani: Jam skeptik, sepse kjo Qeveri si duket nuk ka arritur të krijojë konsensus maksimal me të tjerët dhe vetë nuk guxon të marrë mbi vete një barrë të tillë.

Karen Donfried, asistent-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, gjatë vizitës në Kosovë kërkoi nga Kosova që të tregohet kreative në këtë proces. Më pas këtë frazë e përsëriti edhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Çka do të thotë për Kosovën kërkesa e partnerëve për kreativitet në dialog?

Hasani: Mundësitë për kreativitet janë pa fund. Pala jonë duhet të dalë me propozime konkrete për çështjet e hapura me Serbinë, por kjo nuk mund të bëhet pa një marrëveshje të brendshme në mes të forcave kryesore politike. Kjo sepse dialogu është kthyer në pikë referimi për rënie dhe ngritje politike në Kosovë, jo zhvillimi socio-ekonomik i vendit dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, arsimit dhe kulturës.

Pengesë kryesore në këtë proces për palën kosovare po shihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si mund ta shmangë Kosova presionin ndërkombëtar për këtë çështje?

Hasani: Nuk mund të shmanget presioni, sepse bëhet fjalë për një detyrim ndërkombëtar dhe kushtetues. Duhet t’i dilet para këtij detyrimi, duke përpiluar statutin dhe aktet tjera juridike, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit. Çdo gjë është e qartë këtu! Sa më herët, më mirë.

Të ngjashme