Fotot e reja satelitore vërtetojnë se rusët po plaçkitin grurin ukrainas, sipas asaj që shkruan rrjeti televiziv amerikan CNN.
Imazhet janë marrë në portin e Krimesë në Sevastopol: dy transportues me flamur rus shihen duke ankoruar dhe ngarkuar atë që mund të jetë drith i vjedhur ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për “vjedhje graduale” të produkteve ushqimore ukrainase dhe përpjekje për t’i shitur ato.
Imazhet e reja nga agjencia “Maxar Technologies”, të datës 19 dhe 21 maj, tregojnë anijet – ‘Matros Pozynich’ dhe ‘Matros Koshka’ – të ankoruara pranë atyre që duken të jenë kapanone gruri, me lëndët që derdhen nga një rrip në një vend të hapur.
Sipas sajtit të gjurmimit detar “MarineTraffic.com”, të dyja anijet janë larguar nga porti: ‘Matros Pozynich’ po lundron në Detin Egje, duke pretenduar se do të niset për në Bejrut, ndërsa ‘Matros Koshka’ është ende në Detin e Zi.
Është e vështirë të dihet me siguri nëse anija ishte e ngarkuar me grurë të vjedhur ukrainas, por Krimea, e aneksuar në Rusi, prodhon pak drithëra, ndryshe nga rajonet e pasura të Ukrainës, Kherson dhe Zaporizhzhia më në në veri.
Zyrtarët ukrainas dhe burimet industriale i thanë CNN se forcat ruse në zonat e pushtuara kanë zbrazur disa kapanone dhe kanë transportuar grurin në jug.