Eksperti për eksploziv, zjarrvënie dhe grimca të barutit Milazim Tahirukaj, ka thënë se në tri dëshmitë e ekzaminuara, kanë gjetur gjurmë baruti.
Këtë deklarim, eksperti Tahirukaj e ka bërë në seancën e rigjykimit të hënën, ku Besnik dhe Bajram Bedrolli tri dëshmitë e ekzaminuara po akuzohen se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Eksperti Tahirukaj fillimisht ka sqaruar se që nga viti 2006 ka punuar në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ndërsa për ekspertizat e ekzaminimeve të fushës eksploziv, zjarrvënie dhe grimca të barutit, që nga viti 2014.
Në pyetjet e trupit gjykues, eksperti ka treguar se ekspertiza e 27 marsit 2015, si objekt i ekspertimit i ka pasur 3 dëshmi të evidentuara me numër #1.1 gjurmë kopjuese transparente nga dora e majtë, #2.1 gjurmë kopjuese transparente nga dora e djathtë dhe #3.1 një xhaketë me ngjyrë të katërt.
Tutje, lidhur me përshkrimin e dëshmive, metodat dhe pajisjet e përdorura tha se janë të aprovuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë e po ashtu janë të akredituar nga Drejtoria për Akreditim e Kosovës me vlerësim të ekspertëve ndërkombëtar në fushën e caktuar.
Ndërsa, lidhur me rezultatin e ekspertimit, eksperti Tahirukaj tha se ekzaminimi i mostrave të marra nga dëshmitë #1.1, #2.1 dhe #3.1 ka treguar që ka mbetje të qitjes me armë zjarri me prejardhje nga baruti.
Kurse, sa i përket konstatimit dhe mendimit përfundimtar nga mostrat e marra nga dëshmitë: #1.1, #2.1 dhe # 3.1, tha se u evidentua prani e nitriteve dhe nitrateve të cilat janë pranishme edhe tek mbetjet e qitjes me armë zjarri me prejardhje nga baruti.
Po ashtu, ai ka thënë se forenzika e vendit të ngjarjes i marrin gjurmët dhe të njëjtit e dinë saktë nga e kanë marrë.
Sipas tij, nuk është në fushën tyre që të përcaktojnë se nga është siguruar kjo gjurmë, për shembull kur flasim për dorën e majtë, nuk kanë njohuri se kujt i përket kjo gjurmë.
Ndërsa, i pyetur se xhaketa a i përket të ndjerit, eksperti Tahirukaj ka thënë se nuk e kanë njohuri sepse e evidentojnë vetëm në bazë të përshkrimit të forenzikës së vendit të ngjarjes.
Eksperti deklaroi se e ekzaminojnë a ka gjurmë barutit apo jo dhe ekspert e balistikës, pastaj e marrin raportin dhe mbi bazën e raportit e vlerësojnë distancën apo gjetjeve të tjera të fushës së balistikës.
Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica e pyeti nëse ka mbetur baruti në xhepin e xhaketës, a ka pasur dalje edhe jashtë predhës.
“Procesi i krijimit të grimcave të barutit pas goditjes së gjilpërës e godet në pjesën inicuese të fundit ku temperaturat arrijnë 2 mijë e 500- 2 mijë e 700 °C (Gradë celsius), pjesa inicuese pas kësaj me shtypje 10 fuqi e 4 kPa (kilopaskal), pjesa inicuese e ndez barutin dhe temperatura kalon në 3 mijë e 500 °C dhe shtypja apo presioni kalon në 10 fuqi e 5 kPa si proces. Ndërsa, baruti pjesë e armës krijohet dhe shpërndahet, grimcat e tij mbesin dhe shpërndahen në formë avulli, si dhe në kontakt me ambientin tek pjesa inicuese krijohen grimca unike me 3 elemente kimike Plum, Barium dhe Antimon dhe pjesa e barutit që janë të nitriteve dhe nitrateve”, tha eksperti.
Sipas tij, të gjitha këto dalin nga pjesa inicuese dhe është mundësia që të dalin më shumë pas ose në hapësirë, ku ka vrima arma.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 12 korrik 2022.
Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, për herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.
Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Ashtu që gjykata, të njëjtit i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vepra penale “vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.
“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360 gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.
Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj.
Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullovci.
Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullovcit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi