Lajme
Moska po shqyrton shkëmbimin e të burgosurve ukrainas me mikun e Putinit
Demokracia
22:25 | 21 Maj 2022

Share:

Rusia do të studiojë mundësinë e shkëmbimit të ushtarëve të kapur të batalionit ukrainas Azov me Viktor Medvedchuk, mik i Vladimir Putinit, tha deputeti dhe negociatori rus Leonid Slutsky.

“Ne do ta studiojmë këtë çështje”, tha Slutsky, një anëtar i delegacionit rus në negociatat e fundit me Kievin, duke iu përgjigjur pyetjes për një shkëmbim të tillë, transmeton agjencia e lajmeve RIA Novosti, transmeton Demokracia.com.

Në një deklaratë që dha në qytetin separatist Donetsk në Ukrainën juglindore, ai shtoi se një mundësi e tillë do të diskutohej në Moskë nga “ata të autorizuar për ta bërë këtë”.

Viktor Medvedchuk, 67 vjeç, është një politikan dhe biznesmen i pasur ukrainas i njohur si një person i afërt me presidentin rus. Në mesin e prillit, Medvedchuk u kap në Ukrainë pasi u arratis nga ofensiva e Kremlinit në fund të shkurtit.

Medvedchuk ka qenë në arrest shtëpiak që nga maji 2021 me akuzat për “tradhti të lartë” dhe “përpjekje për të plaçkitur burimet natyrore të Krimesë”, një gadishull ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Ushtria ruse tha të premten se mbrojtësit e fundit ukrainas të qytetit strategjik, Mariupol, ishin dorëzuar dhe të cilët për javë të tëra bënë rezistencë në fabrikën e mëdha të çelikut të Azovstalit.

Midis tyre janë anëtarë të Batalionit Azov, një njësi që Kremlini e konsideron “neo-naziste” dhe Kievi dëshiron të kthehet në këmbim të të burgosurve rusë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme