Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka quajtur akt të shëmtuar veprimin e asamblistit të LDK-së, Ekrem Rrahmanit, i cili gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal, e lagu me ujë Drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu.
Bulliqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se sjellje të tilla janë të papranueshme, ndërsa shton se veprime të tilla të mos shihen më në Kuvend Komunal.
“Një akt i shëmtuar ka ndodhur sot në Kuvendin Komunal në Podujevë, kur asamblisti i LDK-së Ekrem Rrahmani ka sulmuar me ujë drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu, i cili ishte duke prezantuar sukseset e qeverisjes komunale në arsim. Këshilltari në fjalë, në mungesë të argumenteve, ka zgjedhur si mjet arrogancën dhe primtivizmin për t’ia ndërprerë fjalën drejtorit. Sjelljet e tilla, përveçse të pahijshme janë edhe të papranueshme. Andaj e dënoj ashpër një akt të tillë”, ka shkruar Bulliqi.