Lajme
DOKUMENTE| QKMF në Podujevë rrezikon stafin dhe pacientët me rrezatim
Demokracia
12:23 | 20 Maj 2022

Share:

Pacientët dhe stafi i repartit të radiologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, janë të rrezikuar nga prezenca e rrezatimit, pasi që në këtë repart nuk ka pajisje mbrojtëse. Kështu është bërë e ditur pas inspektimit të fundit që ka bërë Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore në shtator të vitit të kaluar.

Demokracia.com ka siguruar raportin inspektues përmes kërkesës për qasje në dokumente publike drejtuar Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas këtij raporti, punonjësit nuk ishin të pajisur me dozimetër personal për monitorim të dozave të pranuara të rrezatimit nga rrezet X.

“Punonjësit nuk ishin të pajisur me dozimetër personal (TLD) për monitorim të dozave të pranuara të rrezatimit nga rrezet X, andaj me këtë, gjatë inspektimit nuk mundëm të konstatojmë dozat mujore/vjetore të punonjësve në shërbimin e radiologjisë”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas raportit të AKMRrSB të siguruar nga Demokracia.com, në radiologji kishin mjete mbrojtëse nga rrezatimi për personel dhe pacientë, por që nuk i përdornin ato.

“Kishin mjete mbrojtëse nga rrezatimi të mjaftueshme për personel dhe pacientë, por gjatë inspektimit u vu re se ato nuk i përdornin për mbrojtjen e pacientëve. I informuam mbi rreziqet e rrezatimit primar dhe sekondar ndaj pacientëve dhe u dhamë si vërejtje që kjo mos të ndodhë më me asnjë pacientë”, thuhet tutje në raport, përcjell Demokracia.com.

Gjatë inspektimit është vërejtur se në të gjitha kabinetet dyert nuk ishin shenjëzuar me shenjë standarde të rrezatimit.

“Janë të instaluar pajisjet e cekura me lartë me një planimetri, por jo sipas standardeve, sidomos kabineti i mamografisë. Hyrjet në të gjitha kabinetet nuk ishin të shënuara me shenjen përkatëse të rrezatimit jonizues. Nuk posedonin ndonjë raport të vlerësimit radiologjik për kushtet dhe kriteret e radio mbrojtjes të hartuar nga eksperti”, thuhet në raport.

Po ashtu, AKRMRrSB konstaton se nuk është plotësuar vërejtja e dhënë për pajisjen e punonjësve profesional të shërbimit të radiologjisë me numër të procesverbalit: 124/2017 i datës 01.11.2017.

Bazuar në gjetjet e këtij inspektimi, inspektorati i AKMRrSB-së jep këtë urdhëresë: “Urdhërohet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë që në afat prej 15 ditëve nga data e inspektimit të i pajisë me dozimetra personal të gjithë punonjësit e shërbimit të Radiologjisë, si dhe të aplikojë për licencë për praktika në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore”, thuhet në raport.

Në repartin e radiologjisë kishte pajisje të rëntgenit, mamografisë, ultrazë dhe ultratingull. /Demokracia.com/

Të ngjashme