Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të mbahet nga data 22 deri më 26 maj në Davos të Zvicrës. Në këtë ngjarje të rëndësishme botërore, Kosova do ta përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, por përkundër që është event botëror, përfaqësimi po bëhet me fusnotë, e cila vlen vetëm për përfaqësim rajonal dhe në Bashkimin Evropian.
Liderë të shumtë politikë e biznesmenë nga vende të ndryshme të botës pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, raporton Demokracia.com.
Nga Kosova, pjesëmarrës do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti, por sipas dokumenteve që ka siguruar Demokracia.com, Kosova në këtë organizim botëror po përfaqësohet me fusnotë.
Demokracia.com ka siguruar agjendën e plotë të Forumit Ekonomik Botëror dhe ka parë se Kosovës në secilën pjesë ku është përmendur i janë referuar me fusnotë.
Agjendën e plotë mund ta shihni në këtë link: Agjenda e plotë e Forumit të Davosit
Kosova përfaqësohet me fusnotë vetëm në forumet evropiane dhe nismat rajonale, pasi që shteti ynë nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, ndërsa forumi ku do të marrë pjesë Kurti është i nivelit botëror.
Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur kritik për vendosjen e fusnotës ndaj emrit të Kosovës, duke e cilësuar këtë edhe “tradhti shtetërore”, raporton Demokracia.com.
“Marrëveshja në Bruksel me Serbinë për pikat kufitare që u degraduan në pika kaluese dhe për fusnotën që realisht nga kthen te negociatat e Vjenës të vitit 2006, paraqesin tradhti ndaj shtetit të Kosovës, që e keni shpallur të pavarur mu në këtë sallë para më shumë se katër vjetësh. Kjo tradhti ndaj shtetit të Kosovës prej Qeverisë dhe kryeministrit e ka trimëruar dhe inkurajuar Serbinë që të tregojë se Kosova s’ka as kufij e as Mitrovicë”, kishte deklaruar Kurti para se të bëhej kryeministër.
Forumi i Davosit është një nga eventet e pakta të rëndësishme ku kryeministri Kurti po merr pjesë deri më tash.
Takimi Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2022 këtë vit mblidhet në momentin më të rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeoekonomik të tri dekadave të fundit dhe në sfondin e një pandemie që ndodh një herë në shekull, raporton Demokracia.com.
Takimi do të mbledhë mbi 2000 liderë dhe ekspertë nga e gjithë bota.
Agjenda e Davosit do t’i mobilizojë krerët e shteteve dhe qeverive, liderët e biznesit, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, për të ndarë pikëpamjet e tyre, njohuritë dhe planet lidhur me çështjet më urgjente globale.
Forumi do të ofrojë gjithashtu një platformë për lidhje, duke i mundësuar publikut të shikojë dhe të ndërveprojë përmes seancave të transmetuara drejtpërdrejt, sondazheve në mediat sociale dhe lidhjeve virtuale./Demokracia.com/