Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka shpallur fajtorë Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin.
Gjykata Speciale i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej nga 100 euro Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, ish-drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), raporton Demokracia.com.
Gjykatësi ka bërë të ditur se që të dy, Gucati e Haradinajn, do të vuajnë burgim nga 4 vjet e gjysmë përfshirë edhe kohën sa kanë kaluar në paraburgim si dhe një gjobë prej 100 eurove të cilën duhet ta paguajnë deri në muajin korrik.
Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka konstatuar se ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kanë kryer veprën e zbulimit të informacioneve të mbrojtura, me publikimin e dokumenteve të Speciales.
Sipas trupit gjykues, vepra u krye duke ua ofruar gazetarëve dokumentet e duke inkurajuar dorëzimin e dokumenteve të ngjashme edhe më tej. Sipas tij, synimi i Gucatit e Haradinajt ka qenë zbulimi për informacion të mbrojtur. /Demokracia.com/