Lajme
Ajoua dekoroi Kurtin për “shpëtimin e shumë familjeve shqiptare në Kosovë”: A e ngatërruan me dikë tjetër?
Demokracia
09:16 | 18 Maj 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti u dekorua me Kryqin Maltez nga shteti i Ajouas (Iowa), por arsyet e dhëna për dekoratën nga këta të fundit tregojnë se nuk e njohin fare kryeministrin tonë.

Dimë se Albin Kurti e njeh veten si veteran të UÇK-së por se i tillë njihet edhe nga OVL-UÇK. Sidoqoftë vizita e tij në ShBA na zbuloi se kryeministri ynë gjatë luftës paska shpëtuar shumë familje shqiptare në Kosovë.

Ndoshta Kurti është ‘treguar modest’ duke mos na folur për heroizmin e tij, ama shteti i Iowas e ka dekoruar Kurtin për meritën e shpëtimit të familjeve shqiptare në Kosovë.

E si ka mundur që Kurti t’i shpëtojë këto familje gjatë kohës së luftës sa ishte në burg [ose ushtar i UÇK-së në Prishtinë], më së miri mund të na tregojë vetë kryeministri, apo familjet e shpëtuara… apo ndoshta vetë shteti i Iowas.

Në certifikatën e mirënjohjes, Senati i Iowa-s thotë “Kur filloi lufta në Kosovë, Kurti u angazhua për integritetin territorial me NATO-n, për t’iu rezistuar sulmeve të Serbisë, si dhe ndihmoi shpëtimin e shumë familjeve shqiptare brenda Kosovës”.

Pak paradoksale është edhe fakti se si Kurti merr merita edhe për intervenimin e NATO-së në Kosovë, kur kihet parasysh se Kurti ka qenë kundër Marrëveshjes së Rambujesë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacioni shqiptar, solli intervenimin e NATO-s në Kosovë. E ky intervenim solli çlirimin e Kosovës, e më pas themelimin e shtetit – kryeministër i të cilit është Kurti.

Heroizmi i Kurtit gjatë luftës [jo ky me shpëtimin e familjeve], shihet me skepticizëm nga skena politike. Opozita për shembull beson se Kurti s’është veteran i UÇK-së.

PSD-ja tashmë ka dorëzuar kallëzim penal kundër Kurtit, ku thotë se Kurti mashtroi komisionin vlerësues të veteranëve.

“Kurti nuk ka plan që t’i pastrojë listat e veteranëve të rrejshëm, se i tillë është vetë…” – deklaronte Molliqaj.

Certifikatës së Iowas dhënë Kurtit ju gëzuan shumë zyrtarë të VV-së duke e shpërndarë në profilet e tyre në rrjete sociale, në mesin e tyre edhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kurti në Iowa vizitoi Gardën Kombëtare atje, për ta forcuar partneritetin me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pos Iowa-s Kurti shkoi edhe në Silicon Valley ku vizitoi kompanitë gjigante amerikane si Microsoft, Uber, Linkedin, Airbnb.

Kryeministri ftoi këto kompani të investojnë në Kosovë, ndërkohë që u kritikua ashpër për ftesën e Uberit në Kosovë, e cila u pa si shfrytëzim i tregut kosovar dhe jo investim që krijon vende pune.

Pra, Kurti u kritikua për vizitat që i bëri dhe ato që s’i bëri. Deri tash, kryeministri s’është takuar me askënd të nivelit të lartë diplomatik.

Megjithatë, në media është raportuar se mund të takohet me zëvendës presidenten Kamala Harrris.

Gjithashtu në media dje u raportua se takimi mund të ndodhë gjatë ditës, ama për Kamalën e cila u nis drejt Arabisë, më i rëndësishëm ishte varrimi i mbretit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vizita e Kurtit në SHBA mbetet vizita më e gjatë e ndonjë kryeministrit të Kosovës atje, e ajo po zgjat ende, shpresojmë që të paktën deri në fund të vizitës dikush nga niveli i lartë të takohet me Kurtin, për të mirën e Kosovës.

Të ngjashme