Në Klinikën e Pulmologjisë janë të hospitalizuar 14 pacientë të prekur nga tuberkulozi.
Mirëpo, për këta të mërkurën nuk ka ilaçe anti-tuberkulare si “Rifampicin” dhe “Izonijazid”.
Bile, nga kjo klinikë thonë se as për këta dhe as për pacientët e rinj që mund të paraqiten nuk kanë se ku t’i bëjnë zgjidhje.
Derisa pulmologu Flamur Marku thekson se mosmarrja e terapisë me kohë dhe ndërprerja mund të sjellë komplikime tek këto raste.
Klan Kosova lidhur më këto mungesa ka raportuar edhe në fundin e marsit, ku lidhur më këtë u pati thënë se furnizimet do të bëhet në fundin e prillit, terapi kjo që prokurohet përmes UNICEF-it.
Megjithëkëtë, kjo nuk ka ndodhur deri më tani, derisa Koordinatorja Kombëtare e Programit të TB nga MSH-ja, Majlinda Balaj tha se klinika duhet të koordinohet përmes farmacistit dhe ilaçet t’i marrin nga Dispanseri në Prishtinë ose në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ngase këtu ka më pak kërkesa.