Lajme
Austria nuk e ka ndërmend të bashkohet me NATO-n
Demokracia
21:26 | 17 Maj 2022

Share:

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka përsëritur se vendi i tij – i cili nuk është i lidhur me asnjë aleancë ushtarake – nuk ka ndërmend të bashkohet me NATO-n, shkruan BBC të martën.

Duke folur pas një takimi në Pragë me homologun e tij çek Petr Fiala, Nehammer ka thënë se historia e Austrisë ishte e ndryshme nga ajo e Finlandës dhe Suedisë dhe se do të ruante neutralitetin e saj ushtarak.

Megjithatë, ai shtoi se vendi i tij – si anëtar i Bashkimit Evropian – tregoi solidaritet me Ukrainën, lejoi dërgesat e armëve në Kiev dhe mbështeti sanksionet kundër Rusisë.

Fiala ka thënë se homologu i tij austriak kishte mbështetur idenë e zgjerimit të kapacitetit të tubacionit të naftës Transalpine (TAL), i cili furnizon rafineritë në Austri, Gjermani dhe Republikën Çeke nga një terminal në portin italian të Triestes.

Zyrtarët çekë kanë thënë se tubacioni TAL mund të furnizojë naftë të mjaftueshme – në rast të një embargoje të BE-së ndaj importeve ruse.

Por ata thonë se do të duheshin deri në tre vjet për të zgjeruar kapacitetin.

Të ngjashme