Lajme
Qeveria apo Presidenti votohet së pari, ky është përcaktimi procedural
Demokracia
19:58 | 16 Mars 2021

Share:

Të hënën, më 22 mars, pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Por, që nga përfundimi i zgjedhjeve kishte dilema se kush duhej të votohej së pari, Qeveria apo Presidenti, pas konstituimit të Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës nuk ofron shumë qartësi lidhur me procedurën që duhet ta ndjek shumica e re parlamentare, transmeton Demokracia.com.

Megjithatë, profesori Florent Muçaj, njohës i çështjeve juridike, thotë se pas konstituimit të Kuvendit janë dy mundësi.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Muçaj pohon se në afat prej 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, ku do të verifikohen mandatet, betohen deputetët dhe zgjedhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit.

“Pasi të ketë ndodhur konstituimi, ka dy mundësi. Në bazë të argumentit të strukturës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti është organ që është paraparë në kapitullin V (para Qeverisë) dhe sipas kësaj logjike kushtetuese do të duhej që të zgjedhej Presidenti dhe pastaj Qeveria. Ky kriter është kriter objektiv shkencor dhe jo kriter normativ, që është i përcaktuar me normën e Kushtetutës tonë. Megjithatë, në praktikë, në kontekstin e rrethanave aktuale, nuk ka asnjë ndalesë që zgjedhja e Qeverisë të ndodh para zgjedhjes së Presidentit, duke pasur parasysh faktin që për zgjedhjen e Presidentit forcat politike parlamentare duhet të ndërtojnë një konsensus, i cili parasheh prezencën në seancë për zgjedhjen e Presidentit të së paku 80 deputetëve”, ka thënë Muçaj për Demokracia.com.

Ndërtimi i këtij konsensusi, që në fakt është kriter kushtetues, sipas Muçajt, në kontekstin aktual është më i vështirë sesa zgjedhja e Qeverisë, që kërkon minimalisht 61 vota të deputetëve.

Megjithatë, cilado zgjedhje që të bëhet e para, Presidenti apo Qeveria, ai për Demokracia.com thotë se nuk ka ndonjë përcaktim kushtetues procedural të kësaj natyre.

Njohësi i çështjeve juridike, Florent Muçaj, thekson se është me rëndësi që Presidenti të jetë i zgjedhur para se të kalojë afati 6 mujor i ushtrueses së detyrës së Presidentit.

Kosova është në prag të formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth formimit të institucioneve. /Demokracia.com/

Të ngjashme