Qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me mungesë të noterëve. Në disa qytete nuk ka fare noter dhe qytetarët u duhet të shkojnë në qytetet të tjera për t’i kryer shërbimet që kërkohen.
Nuk janë të rralla as pritjet e gjata në radhë nga qytetarët për të kryer shërbime të noterisë.
Nga 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter. Ndërsa, numri i përgjithshëm i këtyre juristëve profesionalë është 57, raporton Demokracia.com.
Nga Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu thonë se kjo vjen si shkak i pensionimit të disa noterëve.
“Ju njoftojmë se si shkak i pensionimit të noterëve dhe faktit se ende nuk është bërë emërimi i noterëve të rinj, kjo për shkak të procesit gjyqësor që ishte zhvilluar lidhur me Provimin e Noterisë, komunat pa noterë, respektivisht qytetarët e këtyre komunave shërbehen me shërbime noterie në komunën tjetër më të afërt që ka noter”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com.
Nga ministria që drejtohet nga Albulena Haxhiu thonë se në komunat përkatëse që nuk kanë ende noterë, në ato me nga vetëm një noter dhe komunat që kanë nevojë për më tepër noterë, emërimi do të bëhet pas procesit të ri të provimit të noterisë, përkatësisht gjatë këtij viti.
Kjo ministri ka thënë se ministrja Albulena Haxhiu nuk do të ushtrojë ankesë kundër vendimit të gjykatës, por do të nisë një proces të ri që do të mundësojë emërimin e noterëve të rinj brenda këtij viti.
“Ministria e Drejtësisë është duke e trajtuar me prioritet mungesën e noterëve dhe shumë shpejtë, brenda kompetencave të saj, do të ndërmarrë veprime konkrete të cilat do të ofrojnë zgjidhje të këtij problemi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Pa noterë janë aktualisht komuna e Obiliqit, Istogut, Rahovecit, Skenderajt, Malishevës, Junikut, Hanit të Elezit, Mamushës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit, Kamenicës, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Konkursi i fundit për noterë në Kosovë është shpallur në vitin 2019, por ishte anuluar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020. Si arsyetime ishin paraqitur dyshimet për keqpërdorime në testin e noterisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e kishte anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasi ishte aprovuar padia e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimit të MD-së.
Gjykata e kishte vërtetuar procesin e provimit për noterinë, të shpallur më 19 prill të vitit 2019, si të ligjshëm dhe të drejtë.
Gjykata e kishte marrë këtë vendim me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës, ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë./Demokracia.com/