Lajme
DOKUMENT| Vetëvendosje synon ta dërgojë në Bordin e BQK-së ish-kandidatin e vet për deputet
Demokracia
21:22 | 10 Maj 2022

Share:

Qeveria e Kosovës po tenton ta emërojë në Bankën Qendrore të Kosovës, si anëtar jo-ekzekutiv, ish-kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Nexhat Kryeziun. 

Qeveria e Kosovës më 30 prill është pajtuar me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e anëtarit jo-ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Emrat e propozuar janë Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Rraci, shkruan Demokracia.com.

Më datë 1 mars, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpallur konkurs për një pozitë të anëtarit jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së.

Sipas konkursit të publikuar, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar, duke filluar nga data e emërimit.

Lista e kandidateve që kualifikohen nga ana e panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës, i cili do të përzgjedh një individ.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Kosovës.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Banka Qendrore e Kosovës është institucion publik i pavarur. Objektivi kryesor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar dhe një sistemi efikas të pagesave. BQK mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.

Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare.

Nexhat Kryeziu, i cili ka qenë kandidat për deputet nga partia në pushtet në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, është emëruar në muajin shkurt kryesues i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar./Demokracia.com/

Ish-kandidati për deputet i LVV-së dhe ish-kolegia e Hekuran Muratit emërohen në Këshillin për Raportim Financiar

Të ngjashme