Ndonëse nga edicioni i ardhshëm do të bëjnë gara në Ligën e Parë të Kosovës, Feronikeli ka lënë “gjurmë” të mëdha në elitën e futbollit kosovar në vitet e fundit.
Rekordin e pikëve të grumbulluara brenda një edicioni të garave në Superligën e Kosovës në futboll nuk është parë në elitë të paktën në 10 vitet paraprake.
Rekordit mund t’i afrohet në një pikë Ballkani, kampioni i ri i Kosovës në futboll, megjithatë as ata nuk do mund ta thyejnë atë, raporton Demokracia.com.
“Industrialistët” në edicionin 2018/19, vit kur ata u stolisën me titullin e kampionit nën drejtimin e Zekirija Ramadanit, grumbulluan 80 pikë në 33 xhiro dhe 12 ekipe sa ishin me sistemin e vjetër të garës.
Ballkani kur kanë mbetur edhe dy xhiro parafundit të edicionit 2021/22 ka 73 pikë dhe në rast të dy fitoreve të mundshme në dy takimet e fundit, “portokallezinjtë” mund të shkojnë në kuotën e 79 pikë, vetëm një më pak sesa i kishte regjistruar Feronikeli pak edicione më para.
Edhe Prishtina një edicion më herët ishte afër rekordit, megjithëse kishin arritur 78 pikë në 36 xhiro.
Feronikeli për shkak të krizës së madhe financiare që e kaploi në start të këtij edicioni nuk arriti të mbijetonte në Superligë.
Pas 34 javësh të luajtura, dikur ekipi që ndodhej në majat e futbollit të Kosovës e sheh vetën në pozitën e fundit me vetëm 12 pikë të tubuara.
Klubi nga Drenasi ka fituar tri herë titullin e kampionit, si dhe tri herë Kupën e Kosovës, derisa dy herë Superkupën e Kosovës, por tani gjërat janë në nivelin më të keq të mundshëm./Demokracia.com/