Ajo është pa diskutim një nga këngëtaret më të dashura të skenës shqiptare e cila prej më shumë se dy dekadash numëron dhjetra hite dhe çmime në festivalet e ndryshme në vend . E kemi fjalën për Soni Malaj, arstisten energjike dhe shpërthyese, që i ka bërë të gjithë të këndojnë bashkë me të. Përveç muzikës ajo ka një lidhje të fortë edhe me kërcimin, pasionin dhe ëndrrën e saj të vjetër.
Mbrëmjen e djeshme, Soni ishte e ftuar në “Kurthi i Piter Panit” ku tregoi për herë të parë se kishte dashur të bëhej balerinë që e vogël, por e “kishte ndaluar” gjyshja. “Gjyshja ime, një përmetare fanatike, nuk e kishte shumë qejf këtë gjë. Thoshte ‘Jo, do të të ngrenë në ajër, jo e veshur me të brendshme’ e të tjera si këto. Pastaj, edhe largësia nga Tropoja ma bënin pak më të vështirë, edhe pse erdha në moshën 9-vjeçare në Tiranë. Në fakt, më ka mbetur një lloj pengu baleti.”-tregoi ajo.
Soni Malaj u përball gjithashtu me pyetje pikante të fëmijëve, mes tyre edhe një që i referohej raportit të saj me ish-bashkëshortin. “A është shok me të?”-e pyeti një nga fëmijët.
“Me babain e vajzës sime nuk jetojmë në një shtëpi, por për lumturinë e Anës ne jemi shokë, bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, për surpriza të ndryshme për Anën, për lumturinë e Anës. E vëmë primare lumturinë e Anës, pavarësisht që nuk jetojmë me njëri-tjetrin dhe mendoj që kështu duhet të jetë edhe për çiftet, mamin dhe babin që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi kur kanë fëmijë. Është shumë mirë që të kenë një gjuhë të përbashkët dhe të merren vesh për lumturinë e fëmijës”.