Ministria e Mbrojtjes, e cila ka kontratë me Petrol Company për furnizim me derivate, licenca e të cilës është pezulluar përkohësisht, ka njoftuar se ka hapur proceduar për furnizim me karburante nga operatorët e tjerë.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka thënë të shtunën për Demokracia.com se janë duke i përgatitur procedurat për furnizim me karburante nga operatorët e tjerë, megjithatë nga Petrol Company kanë thënë për Demokracia.com se nuk se nuk ka asnjë vendim për ndërprerje të kantatës nga Ministria e Mbrojtjes.
“Nuk është e vërtetë, ne jemi duke funksionuar normalisht, kemi rezervat tona, ajo është një procedurë e cila është duke shkruar në mënyrë të rregullt, por, ne kemi të gjitha kapacitetet operacionale, asnjë pengesë nuk e kemi. Asnjë aktivitet nuk është i ndalur, kush e ka dhënë këtë informacion, është i gabuar. Është duke shkuar proceduara në rregull me operatorin e ri shumë shpejtë. Kanë filluar procedurat prej Prokurorimit dhe shpejtë dihet, ajo shkon sipas proceduarave, kush t’i plotëson kriteret aty edhe aprovohet dhe mirret një operatorë i ri, dhe vazhdon, por deri sa të bëhet ne kemi rezerva tona dhe asgjë nuk na ka penguar, të gjitha aktivitetet janë zhvilluar. Ju dje keni mujtur me pa edhe në Babaj të Bokës, ka qenë edhe ministri në vizitë e ushtrimeve operacionale, dhe shumë aktiviteteve tjera të stërvitjeve që bëhen nuk ka kurrfarë pengese dhe nuk di ka e keni marrë këtë informacion është i gabuar ose informacion dashakeqës”, ka thënë të shtunën Syla për Demokracia.com.
Nga Petrol Company thonë se kontrata me FSK, duhet të përfundoj rreth dy muaj nga tani.
“Petrol Company sh.p.k nuk ka pranuar deri më tani asnjë vendim për ndërprerje. Kontrata me FSK, duhet të përfundoj rreth dy muaj nga tani”, thuhet në përgjigjen e Petrol Compny për Demokracia.com.
Nga kjo kompani kanë thënë për Demokracia.com se nuk është bërë asnjë shkelje nga ana e Petrol Company, duke shtuar se për çfarëdo tendence janë të të gatshëm ta adresojmë në proces gjyqësorë për ta zbardhë rastin.
“Nuk mund të konkludojmë asgjë, përderisa nuk kemi ndonjë vendim. Por ju sigurojmë që nuk kemi asnjë shkelje nga ana e Petrol Company sh.p.k. Çfarëdo tendence jemi të gatshëm ta adresojmë në proces gjyqësorë për ta zbardhë rastin”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë, kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Petrol Company ishte nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, “Furnizim me propan butan për nevojat e FSK-së”.
Sipas tenderit të publikuar në Prokurim, Ministria e Mbrojtjes dhe Petrol Company kishin nënshkruar kontratë në vlerë prej 128 mijë eurove për furnizim me benzinë, gaz natyror, naftë dhe produkte të ngjashme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Demokracia.com ka raportuar të dielën se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka reduktuar shumicën e aktiviteteve që ndërlidhen me mjetet motorike, për shkak se rrezikon të mbetet pa karburante.
Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Pushtetit Lokal, Posta e Kosovës, Kombinati Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës dhe kompanitë rajonale të ujësjellësit dhe mbeturinave janë vetëm disa institucione shtetërore, që në muajt e fundit janë furnizuar me naftë dhe benzinë nga kompania Petrol Company.
Petrol Company është një prej katër kompanive të derivateve të naftës në Kosovë, të cilave Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka pezulluar lejet për importin dhe deponimin e lëndës së parë, si dhe për shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë apo mazuti./Demokracia.com/