Megjithatë, Macron tha se një procedurë e përshpejtuar për Ukrainën do të çonte në uljen e standardeve, ide të cilën ai e kundërshton.
“Bashkimi Evropian, duke pasur parasysh nivelin e integrimit dhe ambicien, nuk mund të jetë e vetmja mënyrë për të strukturuar kontinentin evropian në terma afatshkurtër”, tha ai.
Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.
“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.
Presidenti francez shtoi se anëtarësimi në këtë organizatë të re, megjithatë, nuk do të garantonte një anëtarësim të ardhshëm në BE.