Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët nëse i ka thyer parimet e tij, pasi që të mërkurën pranoi të darkojë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se është i njëjti, por se në atë darkë ishte i barabartë me Vuçiqin, sepse e hëngrën të njëjtën “gjellë”.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam përfaqësuar vullnetin e popullit. Kam mbrojtur interesat e shtetit dhe duke e pasur si dysheme edhe tavan kushtetutshmërinë. Pavarësisht, a ka darkë a jo, apo çfarë darke është, unë i tillë jam dhe njësoj ndjehem, me shumë përgjegjësi për detyrën që e mbajë dhe në të njëjtën kohë me krenari për detyrën që më është besuar. E kam thënë edhe më herët se ne nuk jemi kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka qenë barazia e palëve dhe kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit ndërmjet zëvendësit tim Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq”, tha Kurti.
Ai u shpreh optimist se më 13 maj, Kosova dhe Serbia do të pajtohen për disa çështje, shkruan Demokracia.com.
“Më 13 maj unë shpresoj se përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhje reciproke të targave dhe çështjes së mospagesës së energjisë në veri dhe nevojës për të përshpejtuar çështjen e të pagjeturve kur e dimë se janë edhe 1617 qytetarë që na mungojnë. Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Olaf Scholz, të cilin e falënderoj për kohën dhe përpjekjet e tij evropiane dhe demokratike për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të jenë të mira dhe fqinjësore”, tha Kurti. /Demokracia.com/