Për shkak të anulimit të procedurës për emërimin e noterëve të rinj nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në komunat e Kosovës po shkaktohen tollovi të mëdha, raporton Demokracia.com.
Në një video të publikuar sot shihet tollovi e madhe e qytetarëve edhe në Prizren, pasi që në këtë qytet i marrin shërbimet noteriale edhe qytetarët e Rahovecit.
“Kështu sillen punëtorët e noterisë në Prizren me fermerët e Rahovecit”, është mbishkrimi i videos ku shihet tollovi dhe pakënaqësi e madhe.
Për shkak të mos-akreditimit të noterëve të rinj, fermerët e Rahovecit detyrohen të shkojnë në Prizren dhe në qytete të tjera përreth.
Demokracia.com ditë më parë ka raportuar për tollovi edhe në Komunën e Klinës.
Në këtë komunë është vetëm një noter dhe kjo ka bërë që të shkaktohen tollovi dhe pritje të gjata para zyrës së tij.
Të gjitha këto tollovi po shkaktohen si pasojë e anulimit të procedurës për emërimin e noterëve të rinj, procedurë kjo e cila kishte nisur qysh në vitin 2019, por që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kishte anuluar atë.
Vendimi i Haxhiut për noterë vazhdon të shkaktojë tollovi, pritje të gjata në Klinë
Për shkak të këtij vendimi të ministres Haxhiu, në 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter.
Ndonëse Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë dhe bazuar me Ligjin për Noterinë, ku një noter duhet të jetë për 10 mijë banorë, atëherë në Kosovë do të duhej të ishin mbi 170 noterë, mirëpo aktualisht vendi ynë numëron vetëm 57 noterë.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik. /Demokracia.com/