Gjatë luftës në Ukrainë, zgjidhja graduale e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte një kontribut për paqen në rajon dhe në mbarë Evropën.
Kështu ka thënë sot kancelari gjerman Olaf Scholz pas bisedimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai u tha gazetarëve se kanë pasur një bisedë të mirë dhe se tema e rëndësishme ka qenë lufta në Ukrainë dhe posaçërisht ka lavdëruar Prishtinën për qëndrimin e hershëm dhe mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë, e cila, siç theksoi, meriton mirënjohje të madhe, shkruan Demokracia.com.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe të gjitha vendet duhet të jenë anëtare, dhe kjo përfshin Kosovën, njohjen e së cilës Gjermania e ka mbështetur vazhdimisht dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha Scholz.
Ai tha se më vonë pasdite do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe se ka ftuar të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, sepse është e rëndësishme që “dy vendet ta zgjidhin gradualisht konfliktin” në një kohë kur kemi një luftë në Evropë, e cila do të ishte një kontribut për paqen në rajon dhe Evropë.
Ai tha se qëllimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të hapte një perspektivë evropiane për të dyja palët dhe do të përfaqësonte një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“E inkurajova Kurtin që të angazhohet në mënyrë konstruktive”, tha Scholz, duke shtuar se është e rëndësishme që qytetarët të përfitojnë nga marrëveshja dhe se stabiliteti është një kusht i rëndësishëm për investime.
“Unë dua të kontribuoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të BE-së, dhe parakushti për paqen dhe stabilitetin në rajon është marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës. Ne duam përparim dhe prandaj me kënaqësi ndihmojmë në mbajtjen e takimeve të tilla. Ne nuk jemi gjyqtarët që vendosin se kush ka të drejtë. Kam përshtypjen se ka një dëshirë të madhe për të bërë përparim tani”, tha Scholz, duke shtuar se gjatë bisedimeve me Kurtin ishte rënë dakord që ta vizitoj Prishtinën si pjesë e një turi të fundit ballkanik.
Albin Kurti në një konferencë të përbashkët për media me Scholz tha se Gjermania duhet ta ndihmojë Kosovën të ecë përpara dhe kërkoi liberalizimin e vizave. /Demokracia.com/
Kurti para kancelarit gjerman: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund të dialogut