Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës ka reaguar ndaj kërcënimit të gazetarit Arlind Sadiku.
Gazetari dhe komentatori i sportit, Arlind Sadiku njoftoi gjatë ditës se mori një kërcënim nga gjyqtari i futbollit të Kosovës, Mervan Bejtullahu gjatë derbit Gjilani – Drita, shkruan Demokracia.com.
SHGSK-ja e ka dënuar aktin, ndërsa është shprehur se e ka marrë me shqetësim informacionin për kërcënimin e gazetarit Sadiku.
Reagimi i plotë:
SHGSK REAGON NDAJ KERCENIMIT TE GAZETARIT ARLIND SADIKU
Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, me shqetësim e ka marrë informacionin për kërcënimin e gazetarit të sportit Arlind Sadiku, nga ana e gjyqtarit të futbollit kosovar Mervan Bejtullahu.
Arlind Sadiku u kërcënua në ndeshjen derbi të Superligës së Kosovës në futboll, Gjilani – Drita e zhvilluar në Gjilan, derisa ishte në detyrë zyrtare.
Bordi i SHGSK-së, dënon aktet e tilla duke marrë parasysh se gazetarët janë ata të cilët stadiumet dhe objektet sportive janë pjesë e punës së tyre, e aspak objekt dhune apo kërcënimi.
Besojmë dhe shpresojmë fuqishëm që ky të jetë akti i fundit që gazetarët sportivë të pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.
Me respekt,
Bordi i SHGSK-së./Demokracia.com/