Lajme
Pajisjet e SISH-it që u blenë miliona euro nga MSH, u lanë në depo të QKUK-së për më shumë se dy vite
Demokracia
14:08 | 04 Maj 2022

Share:

Mijëra pajisje të SISH-it të blera nga Ministria e Shëndetësisë u lanë të papërdorura në një hapësirë të QKUK-së për më shumë se dy vite. Këto pajisje rrezikojnë t’ju skadojë afati i garancionit ende pa u vënë në funksion.

Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 nënshkroi një kontratë me kompaninë “InfoSoft Systems” për blerjen e pajisjeve të Sistemit Informativ Shëndetësor. Kontrata me titull “Zgjerimi i Infrastrukturës Ekzistuese për SISH” në vlerë mbi 4.6 milionë Euro, parashihte blerjen e pajisjeve harduerike ‘Zero Clients’ për njësitë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar si dhe për Kujdesin Primar Shëndetësor.

Por shumica nga këto pajisje nuk u funksionalizuan kurrë. Mijëra pajisje ishin vendosur para dy viteve në një hapësirë në Qendrën e Telemjekësisë në QKUK dhe nuk u përdorën asnjëherë. Të njëjtat kanë filluar të shpërndahen tek pas një kërkese të ministrit Rifat Latifi, për ta liruar këtë hapësirë të Telemjekësisë pasi aty parashihet të bëhet një Qendër e Simulimit.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Shneta ka deklaruar se pajisjet kanë qenë të shpërndara në institucionet shëndetësore të kujdesit primar, në ambulancat specialistike të QKUK-së si dhe në Spitalin e Gjilanit në vitin 2019.

MSH dhe Departamenti i SISH-it nuk kanë lejuar që redaksia të marr pamje nga kjo hapësirë ku janë të vendosura pajisjet me arsyetimin se aty ka edhe dokumente tjera.

MSH e ka pranuar se pajisjet e SISH kanë mbetur për rreth dy vite të papërdorura në hapësirat e QKUK-së, por nuk e di saktë se sa pajisje janë të vendosura aty.

“Pajisjet në Telemjekësi janë pranuar në vitin 2020 në periudhën e pikut të pandemisë dhe për shkak të pandemisë dhe mos avancimit të sistemit të SISH nuk kanë qenë të përfunduara me rrjetëzim spitalet dhe QKUK, prandaj këto pajisje janë vendosur në zyrat e TCK-së të cilat kanë qenë në shfrytëzim të DSISH/MSH”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

“MSh ka krijuar grupin punues për regjistrimin e gjithë inventarit që ndodhet në këto hapësira (Vlera e një Zero client sipas kontratës ka qenë € 490.00 dhe në këto hapësira pajisjet të cilat duhej të shpërndahen janë jo më shumë 1.000 ZC dhe ka filluar shpërndarja)”, thuhet në përgjigje.

Këto pajisje do të mbeten edhe për një kohë të papërdorura pasi ende nuk është bërë shtrirja e rrjetit nëpër spitalet e përgjithshme dhe QKUK.

Pajisjet janë pranuar në fillim të vitit 2020, ndërsa periudha e garancionit të tyre është 3 vite, që i bie se garancioni i tyre mund të skadojë ende pa u vënë në funksion.

“Sa i përket periudhës së mirëmbajtjes ashtu siç është cekur edhe më herët, këto pajisje janë në kuadër të gradacionit pasi që në bazë të kontratës garancioni është 36 muaj nga data e liferimit”, kanë deklaruar nga MSH.

Kujtojmë se implementimi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka filluar në vitin 2015 dhe deri më tani janë shpenzuar miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë si dhe nga donacione të Qeverisë së Luksemburgut.

Të ngjashme