Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov tha dje gjatë një paraqitje televizive se Hungaria e dinte se Rusia synonte të sulmonte Ukrainën.
“Hungaria po tregon hapur bashkëpunimin e saj me Federatën Ruse. Për më tepër, Putini paralajmëroi paraprakisht se do të sulmonte vendin tonë”, citohet të ketë thënë Danilov nga UkraineToday, transmeton Demokracia.com.
Danilov shtoi gjatë intervistës se qeveria hungareze planifikon të marrë një pjesë të Ukrainës.
“Për disa arsye, ajo besonte se mund të merrte një pjesë të territorit tonë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne do të shohim pasojat për atë vend pas luftës”, tha sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës.
Hungaria shpejt i mohoi këto shkrime mediatike. Një zëdhënës i kryeministrit hungarez, Viktor Orban tha se ishte informacion i rremë dhe mohoi që Budapesti synonte të aneksonte Transkarpatinë, shtëpia e rreth 140,000 hungarezëve etnikë.
Zoltan Kovacs ka shkruar në Twitter se Ukraina po hakmerret për akuza të tilla se Hungaria nuk ka dashur t’i dërgojë armë, shkruan Euronews.
“Ne e kuptojmë se Ukraina nuk është e kënaqur me vendimin tonë, por përhapja e informacionit të rremë nuk do të ndryshojë pozicionin tonë”, shtoi ai, shkruan Demokracia.com.
Ndaj deklaratave të Danilovit ka reaguar edhe ambasada hungareze në Ukrainë dhe ka kërkuar tërheqjen e tyre.
“Ambasada hungareze në Ukrainë është e indinjuar nga deklaratat e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov, të bëra në televizion më 2 maj 2022. Në to ai akuzon në mënyrë të rreme dhe të pabazë autoritetet hungareze dhe nxit urrejtje ndaj popullit hungarez”, thuhet në faqen e ambasadës hungareze në Facebook.
“Ne hedhim poshtë dhe dënojmë ashpër shpifjet kundër Hungarisë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Danilovit të tërheqë deklaratat e tij!” shtoi ambasada. /Demokracia.com/