Diplomati i pensionuar serb, Zoran Milivojeviq tha sot se takimi mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të dominohet nga çështja e Kosovës dhe se kjo ishte përpjekje e Gjermanisë për të zhbllokuar dialogun dhe për t’u përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, transmeton Demokracia.com.
Në një prononcim për Tanjug, Milivojeviq tha se nuk pret përparim të rëndësishëm në çështjen e Kosovës nëse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë presion ndaj Kurtit.
Sipas tij, nesër, përveç Kosovës, në takim do të dominojnë edhe temat për Ukrainën, zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe marrëdhëniet dy palëshe.
“Unë nuk jam i bindur se Scholz ka forcën dhe aftësinë për të ndikuar vendosmërisht në Kurtin. Nëse nesër nuk ka rezultate në atë kuptim, nëse Kurti nuk e ndryshon qëndrimin e tij, atëherë është e qartë se i vetmi ndikim thelbësor mbi Kurtin dhe Prishtinën është Uashingtoni dhe kjo do të varet nga ky ndikim dhe progresi i mëtutjeshëm në dialog, si dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës”, tha Miliovojeviq.
Nesër në Berlin Scholz do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe ndërmjetësin e BE-së në dialog, Miroslav Lajçak. Takimet fillimisht do të jenë të ndara e më pas do të zhvillohet takimi i përbashkët i Scholzit me Kurtin dhe Vuçiqin. /Demokracia.com/