“Mediat e gazetarët në vendin tonë, fatkeqësisht çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime”, kështu ka deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Zëdhënësja politike e kësaj partie, Sibel Halimi, ka thënë se këtë fakt, sipas saj, edhe më shqetësuese e bën kur këto sulme vijnë nga pushteti.
Halimi ka shkruar se Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit duhet angazhim i përbashkët dhe i fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e kësaj lirie, si një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë.
Postimi i plotë:
Mediat e gazetarët në vendin tonë, fatkeqësisht çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime. Këtë fakt edhe më shqetësuese e bënë kur këto sulme vijnë nga pushteti. Organizatat ndërkombëtare si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth lirisë së shtypit në Kosovë, duke potencuar se gazetarët po përballen me kërcënime e frikësim gjatë ushtrimit të punës së tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, të gjithë së bashku duhet të angazhohemi fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e kësaj lirie, si një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë.
Ditët si kjo t`na shërbejnë si çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve e ngritjen e vetëdijes së të gjithëve karshi rolit të rëndësishëm që kanë gazetarët në vendin tonë.