Lajme
Hoxhaj: Kurti të distancohet nga dhuna si mjet politik
Demokracia
13:14 | 15 Mars 2021

Share:

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka vendosur kushte Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, në takimin me dyer të mbyllur që kishte sot me ta.

Hoxhaj në këtë takim ka thënë se kanë qenë konstruktivë, por edhe parimorë.

Ai ka thënë se kishin kërkesa të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet të përmbushë një president, raporton Demokracia.com.

Para se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të marrë një qëndrim përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit në organet e saj dhe, meqë po kërkohet roli i PDK-së në zgjedhjen e Presidentit, Hoxhaj u ka kërkuar atyre sqarime për temat më të ndjeshme me të cilat po ballafaqohet shteti ynë, dhuna si mjet politik i përdorur nga Vetëvendosje, përfshirja në dialog, siç kishin premtuar, që nuk bëhet pa një kërkim falje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur, për Asociacionin e Komunave Serbe, Marrëveshjen e Uashingtonit, demarkimin e kufirit me Malin e Zi, nëse ata në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorit.

Hoxhaj ka kërkuar sqarime edhe për reciprocitetin me Serbinë dhe nëse ata do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal, siç njihet ndryshe Mini-Shengen.

Kryetari në detyrë i PDK-së ka thënë se kur të marrin përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë një qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme