Sektorit bankar në Kosovë po i shtohet edhe një bankë e re. Kjo bankë është regjistruar tashmë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve me emrin PRIBANK SH.A.
PRIBANK, siç ka mësuar Demokracia.com, ka aplikuar tashmë për licencë edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, por lënda e saj ende nuk është shqyrtuar.
Banka në ARBK është regjistruar në emrin e Fatos Krasniqit. Kjo bankë është investim i tri kompanive dhe do të ketë kapital 8 milionë euro.
Kompania e Sigurimeve PRISIG SH.A ka 33 për qind të aksioneve apo 2 milionë e 640 mijë euro.
Aksionar tjetër me 34 për qind të aksioneve është edhe kompania MODEL SLOVENIA INVEST me 2 milionë e 720 mijë euro, raporton Demokracia.com.
Po ashtu, 33 për qind të aksioneve do t’i ketë edhe kompania MODEL SLOVENIA.
Për të marrë detaje rreth hapjes së kësaj banke të re në Kosovë, Demokracia.com e ka kontaktuar Fatos Krasniqin, në emrin e të cilit edhe është regjistruar si biznes.
Krasniqi i ka thënë Demokracia.com se drejtor pritet të jetë ai, sidoqoftë për më shumë informata ka kërkuar që t’i dërgohen pyetje në e-mail.
Deri në momentin e publikimit, ai nuk u është përgjigjur as pyetjeve me shkrim./Demokracia.com/