Lajme
Donfried përmbyll vizitën në Tiranë, SHBA rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Demokracia
16:31 | 29 Prill 2022

Share:

Në përmbyllje të vizitës së Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe të Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Tiranë, Ambasada Amerikane ka shpërndarë një njoftim rreth takimeve të diplomatëve amerikanë në Shqipëri.

Në njoftimin e Ambasadës thuhet se Donfried dhe Escobar u takuan paraditen e sotme me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës.

“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, thuhet një njoftimin e ambasadës përcjell Demokracia.com.

Sipas ambasadës, diplomatët amerikanë rikonfirmuan mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi, dhe mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon.

“Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, përfundon njoftimi i ambasadës./Demokracia.com/

Të ngjashme