Lajme
“Kalben” 1.7 milionë euro vetura të sekuestruara në depon e Agjencisë së Pasurisë dhe Konfiskimit
Demokracia
09:35 | 30 Prill 2022

Share:

Disa vetura janë të shtrenjta e disa të tjera të vjetra, por që të gjitha së bashku është duke i kapur korrozioni në një depo në periferi të Prishtinës.

Mjetet e sekuestruara dhe konfiskuara që gjenden në Agjencinë e Administrimit të Pasurisë dhe Konfiskimit po mbahen aty nën dyshimin se u përfituan me vepra penale apo se pronarët e tyre i kanë përfshirë në ndonjë rast kriminal, shkruan Demokracia.com.

Vlera  e veturave që Agjencia për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara (AAPSK) ka nën administrim të saj është afërsisht 1,736,637.66 euro.

Kjo agjenci gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka sekuestruar 13 mjete transporti, ndërsa ka konfiskuar 11 sosh.

Gjatë viti 2021 ishin sekuestruar gjithsej 51 mjete transporti, ndërsa konfiskuar 21 mjete, shkruan Demokracia.com.

“Në tremujorin e parë të këtij viti (periudha janar – mars 2022), janë sekuestruar 13 mjete transporti, ndërsa konfiskuar 11 mjete transporti. Gjatë vitit 2021 janë sekuestruar gjithsej 51 mjete transporti, ndërsa konfiskuar 21 mjete transporti”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie për Demokracia.com.

Në depon e kësaj agjencie gjenden edhe vetura luksoze, por aspak luksoz nuk është vendi ku ato janë parkuar.

AAPSK në përgjigjen e saj për Demokracia.com ka treguar sa vetura gjenden në depon e kësaj agjencie, por jo edhe sa shkon çmimi i tyre.

Ky institucion ka thënë se u duhet kohë për vlerësimin e tyre.

“Për të bërë kategorizimin e të gjitha veturave që nga themelimi i AAPSK-së, të veturave luksoze nga ato jo luksoze për vlerësimin e tyre duhet kohë, andaj përgjigjen për këtë çështje do t’ua ofrojmë në ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen e AAPSK-së.

E përveç atyre luksoze, në depon e kësaj agjencie gjenden edhe veturat jo-luksoze, por as për to kjo agjenci nuk ka treguar sa arrin vlera e tyre.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, aktualisht ka në administrim 340 mjete transporti, ndërsa shkalla e amortizimit të mjeteve të tyre në baza mujore llogaritet 1.08 për qind.

Veturat me vlerë të madhe “kalben” në depon e shtetit

Shumë veturave që vlejnë qindra mijëra euro, që ishin konfiskuar nga qytetarët, pasi që ishin përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, po u humbet vlera dhe po “kalben” në depon e shtetit. Kjo po ndodh, pasi që në fazën e sekuestrimit nga institucionet shtetërore këto vetura nuk kanë të drejtë të shitjes.

Këto mjete transportuese shiten vetëm përmes ankandit me vendim të gjykatës.

“Në fazën e sekuestrimit mund të shiten vetëm me vendim të gjykatës, pas kërkesës së Agjencisë me qëllim të ruajtjes së vlerës”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Në rast se dështon ankandi i parë, hapet ankand tjetër e në këto raste vlerësohen shkaqet.

“Po, në raste të caktuara ndodhë që të dështon ankandi i parë, në këto raste vlerësohen shkaqet që dërguan deri aty, evitohen ato dhe rishpallet sërish”, thuhej tutje në përgjigjen e AAPSK-së.

Që nga themelimi, kjo agjenci ka realizuar disa marrëveshje bashkëpunimi me Policinë, BQK-në, SHSK-në dhe SHKK-në./Demokracia.com/

Të ngjashme