Gjykata Themelore e ka liruar nga akuza për korrupsion, Gazmend Jasharin, i cili ngarkohej për 150 euro ryshfet.
Aktgjykimi lirues për inspektorin tatimor të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) është marrë të premten derisa seanca përfundimtare ishte mbajtur më 26 prill të këtij viti.
Aktgjykimin lirues e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica derisa prokurore e rastit ishte Dulina Hamiti.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 dhjetor 2020, kishte shpallur aktgjykim dënues, për të akuzuarin Gazmend Jashari për marrje të ryshfetit dhe të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në vlerë prej 3 mijë 600 euro, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.
Kurse, i akuzuari Adnan Jupolli ishte liruar pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, nuk është provuar se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit. Ndërsa, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, respektivisht për pikën dy të aktakuzës, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.
Por, Gjykata e Apelit më 19 mars 2021, e kishte kthyer këtë rast në rigjykim vetëm për të akuzuarin Jashari, ndërsa ka vërtetuar pjesën liruese për të akuzuarin Jupolli.
Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përkitazi me të akuzuarin Gazmend Jashari është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 prill 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Jasharit dhe Adnan Jupollit, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli thuhet se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12:30, në cilësinë e personave zyrtarë- inspektorë tatimorë në Administratën Tatimore të Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare-kontrollit të lokalit “Froni” në Bresje të Fushë Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në bashkëveprim kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, nga pronari i lokalit Zymer Elshani, i cili nuk ka pasur arkë fiskale.
Gjithnjë sipas akuzës, të pandehurit e lartcekur fillimisht i kanë thënë pronarit se mund ta dënojnë deri në 1 mijë euro, mirëpo nëse i njëjti u ofron ryshfet shumën fillimisht prej 200 euro, mund të mos i shqiptojnë gjobën dhe të largohen.
Sipas prokurorisë, Zymer Elshani, pronari i lokalit, u kishte thënë se nuk e ka shumën e parave prej 200 euro, për çka të pandehurit e lartcekur i kishin kërkuar ryshfet prej 50 euro, e më pas Zymer Elshani e raporton rastin tek zyrtari policor Fitim Zeqiri, i cili kishte qenë duke qëndruar tek lokali “Froni”, e më pas të pandehurit e lartcekur kanë pranuar ryshfet shumën e parave- kartëmonedhë në vlerë prej 50 euro, duke u larguar nga lokali me veturën zyrtare të ATK-së.
Prokuroria pretendon se pas kësaj, të pandehurit e lartcekur janë ndaluar nga ana e zyrtarit policor Fitim Zeqiri, i cili ishte njoftuar paraprakisht me rastin nga pronari i lokalit, e që pas arritjes së ekipit policor, në veturën zyrtare të ATK-së ku ndodheshin të pandehurit e lartcekur, kanë gjetur kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, e cila është sekuestruar nga ana e policisë.