“Zoti t’rujt”, “Zoti ta rujt familjen”, “20 cent për bukë”, “Sa të kushton zemra”, “Jam jetim”, janë disa nga thirrjet që dëgjohen shpesh në rrugët e qyteteve të Kosovës nga burra, gra e fëmijë e pleq, që shtrijnë dorën për lëmoshë.
Pothuajse çdo ditë ata janë duke kërkuar lëmoshë, derisa fenomeni i lëmoshë kërkimit në Kosovë është bërë shqetësues dhe me tendencë të lartë në rritje, shkruan Demokracia.com.
Në tremujorin e parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka identifikuar gjithsej 77 fëmijë lëmoshë-kërkues.
“Si rezultat i veprimeve policore në trajtimin e këtyre rasteve në tremujorin e parë të vitit 2022 janë identifikuar 77 fëmijë kërkues lëmoshë, ku pas identifikimit sipas detyrës zyrtare ftohen zyrtarët e QPS-s dhe ata i trajtojnë me tutje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com.
Lëmoshë-kërkuesit, sipas Policisë së Kosovës, janë nga qytete të ndryshme, por një numër i tyre janë edhe nga Shqipëria.
“Faktorët apo shkaqet që shtyjnë në kërkim të lëmoshës disa prej tyre për shkak të kushteve të rënda materiale, disa nga shprehia apo ka raste ku dyshohet se mund të jenë të shtyrë nga personat e ndryshëm, raste këto që hetohen nga Policia”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com.
Problemi i kërkim-lëmoshës vazhdon të jetë shumë prezent, veçanërisht në kryeqytetin e Kosovës.
Në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com thuhet se në vazhdimësi policia e ka trajtuar këtë dukuri në bashkëpunim me akterë të tjerë institucionalë, duke ndërmarrë veprime ligjore me qëllim të parandalimit apo të reduktimit të kësaj dukurie.
“Policia ka trajtuar këtë dukuri në bashkëpunim me akterë të tjerë institucional duke ndërmarrë veprime ligjore me qëllim të parandalimit apo të reduktimit të kësaj dukurie, e në vazhdimësi ka ndërmarr dhe ndërmerr veprime me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie duke implementuar plane operative dhe projekte parandaluese”, thuhet në përgjigje të Policisë së Kosovës.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në 2 vitet e fundit janë identifikuar rreth 432 lëmoshë-kërkues./Demokracia.com/