Lajme
Maniaku plak i Prizrenit ka të hapura tri dosje për krime në Polici
Demokracia
14:00 | 27 Prill 2022

Share:

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj mësuesit në pension, Fazli Kikaj, nga Prizreni, i cili është zënë në flagrancë teksa tentonte ta bindte për marrëdhënie intime një vajzë 15-vjeçare, e cila në realitet është gazetare në Shqipëri. Kikaj tash po hetohet për pedofili.

Por Kikaj, ish-mësuesi 76-vjeçar i Prizenit, është i njohur për policinë. Ai ka dosje ku është akuzuar për tri vepra penale.

Këtë e kanë konfirmuar për Nacionalen zyrtarë nga Policia e Kosovës.

“Prishje e rendit dhe qetësisë publike, kanosje si dhe dhunë në familje.” Këto janë tri veprat për të cilat Kikaj ka dosje në policinë e Kosovës e që besohet se i ka kryer.

Por të kthehemi edhe njëherë tek tentimi i Kikajt për ta joshur një 15-vjeçare për të kryer marrëdhënie intime.

Të gjeturat skandaloze të hulumtimt u publikuan në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital. Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Për gjithë këtë skandal, hetime ka nisur edhe policia e Kosovës. Kjo e fundit i ka shkuar mëngjesin e sotëm në shtëpi për intervisim, por i njëjti nuk është gjetur aty.

Këtë lajm e ka konfirmuar për Nacionalen Policia e Kosovës.

“I njëjti nuk është gjetur ne adresën e banimit, por ka njoftuar organet që do të paraqitet në polici”, deklarojnë nga Policia e shtetit.

E Prokurora tashmë ka inicuar hetime ndaj ish-mësuesit.

“Lidhur me videon që është shfaqur në disa portale, Sektori Rajonal i Hetimeve ka kontaktuar Prokurorinë e Shtetit në Prizren. Në konsultim me Prokurorinë, Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, ka filluar hetimet në lidhje me këtë rast, të cilat pretendohen në një video të postuar në abcnews.al”, thuhet në përgjigjen e policisë dhënë Nacionales.

Si nisi e gjithë kjo ngjarje?

Pedofilia, ky fenomen kaq i tmerrshëm që ndodhet edhe brenda shoqërisë shqiptare, ishte një tjetër temë që u publikua në emisionin “Piranja” në Abc News.

Skuadra e “Piranjave” ra në gjurmë të një pedofili 70-vjeçar nga Prizreni, me profesion mësues.

Për ta futur në grackë ‘Agjentja‘ e Piranjave, hap një adresë false në rrjetet sociale duke u shtirur si adoleshente me emrin Kejsi.

Kaq ka mjaftuar që profesor Fazliu, fillimisht t’i bëjë kërkesë miqësie adoleshentes, dhe më pas të nisë me të bisedat erotike, ku nuk kanë munguar as foto e video të organeve të tij gjenitale.

Por skuadra e “Piranjave” e ka të qartë misionin e saj, dhe për ta demaskuar profesorin pedofil, organizon një “ekskursion” i cili do të çonte Kejsin dhe shokët e “klasës” në Prizren.

Sapo mbërrin në Prizren, agjentja e “Piranjave” prezantohet për herë të parë përballë Fazliut, i cili pa e zgjatur e fton në shtëpinë e tij.

Por rrugës nuk do të mungojnë surprizat, pasi agjentja kërkon të hyjë në një lokal për nevojat e saj, e ndërsa Fazliu qëndronte jashtë, nga lokali del gazetarja e “Piranjave”, Aida Topalli, e cila këtë herë i prezantohet zyrtarisht si gazetarja e emisionit investigativ.

Ndërsa gazetarja e pyeste se si ndihej që një person i moshës së tij, për më tepër me një profesion mësues në të shkuarën, u vardisej vajzave adoleshente, profesor Fazliu ka ikur si “lepur” ndërsa kërkonte të fikeshin kamerat.

Skuadra e “Piranjave” fton të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, të demaskojnë këtë fenomen, që pedofilët të mos rrinë jashtë, por pas hekurave.

Të ngjashme