Lajme
Lajmërohen nga SHSKUK-ja, por s’e thonë asnjë fjalë për punësimin e motrës së Bislimit
Demokracia
15:53 | 26 Prill 2022

Share:

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka “rehatuar” motrën e tij në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Demokracia.com, orë më parë raportoi se motra e Besnik Bislimit, Valbona Bislimi, është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë dhe ka mbetur vetëm për të nënshkruar kontratën.

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE| Motra e Besnik Bislimit punësohet në QKUK, pritet shpejt ta nënshkruajë kontratën e punës

Nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), për Demokracia.com, nuk e ka thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë punësim, përveç që ka bërë të ditur se konkursi për dy mjekë specialistë të neonatologjisë është publikuar në bazë të procedurave të legjislacionit në fuqi.

Ky institucion nuk është përgjigjur në pyetjet e Demokracia.com, nëse është mbyllur konkursi dhe kur do të bëhen publike të gjitha rezultatet e personave që kanë konkuruar e as kur pritet t’i publikojnë ato.

“Pas hapjes së Spitalit të ri Kirurgjik- Pediatrik, Klinika e Neonatologjisë,  ka bërë kërkesë zyrtare për pranimin e specialistëve të neonatologjisë. Konkursi është publikuar dhe proceduar bazuar në legjislacionin në fuqi dhe janë udhëhequr të gjitha procedurat ligjore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së dhënë për Demokracia.com.

Përndryshe, Bislimi e kishte dërguar edhe nipin e tij si anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Pas kritikave të shumta, Bislimi kishte habitur të gjithë me deklaratën e tij se nuk e kishte parë nipin që 50 vjet, ndërkohë që ai asokohe ishte 45-vjeçar. /Demokracia.com/

Të ngjashme