Në Komunën e Klinës është vetëm një noter dhe kjo ka barë që të shkaktohen tollovi dhe pritje të gjata para zyrës së tij.
Mëngjesin e sotëm shumë banorë të Klinës ia kanë mësyrë zyrës së noterit të vetëm në këtë komunë, kështu duke shkaktuar pritje të gjatë dhe tollovi, raporton Demokracia.com.
Komuna e Klinës e cila i ka mbi 42 mijë banorë, sipas Ligjit për Noterinë do të duhej t’i kishte katër noterë dhe jo vetëm një sa e ka aktualisht.
E gjithë kjo tollovi është shkaktuar si pasojë e anulimit të procedurës për emërimin e noterëve të rinj, procedurë kjo e cila kishte nisur qysh në vitin 2019, por që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kishte anuluar atë.
Për shkak të këtij vendimi të ministres Haxhiu, në 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter.
Ndonëse Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë dhe bazuar me Ligjin për Noterinë, ku një noter duhet të jetë për 10 mijë banorë, atëherë në Kosovë do të duhej të ishin mbi 170 noterë, mirëpo aktualisht vendi ynë numëron vetëm 57 noterë.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik. /Demokracia.com/