Lajme
“Martin Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi”, deklarohet sërish gazetari që zbuloi skandalin financiar në Slloveni
Demokracia
13:12 | 23 Prill 2022

Share:

“Ai (Martin Berishaj) është akteri kryesor i këtij rrëfimi, ai është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”, ka thënë Bojan Pozar, gazetari dhe producenti i TV Planet, medias që zbuloi skandalin financiar ku është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

I pyetur nga Albanian Post rreth skandalit të fundit – TV Planet publikoi dokumente ku tregohet se është bërë një bartje e parave nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd për në kompaninë e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, MB Consulting dhe më pas ai i ka tërhequr partë dhe dërguar në Slloveni te politikani opozitar Robert Golob – Pozar thotë se gjithçka është e vërtetë.

“I kam parë dokumentet, në TV Planet i kam shikuar dokumentet dhe momentalisht çështja është kështu: ambasadori Berishaj ka themeluar ndërmarrjen MB Consulting në Mal të Zi dhe përafërsisht dhjetë ditë pas themelimit të kësaj ndërmarrje kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiali simotër e ndërmarrjes shtetërore sllovene GEN-I në Beograd”, deklaron ai.

“Kështu filiali i ndërmarrjes GEN-I në Beograd ka kryer pagesa në xhirollogarinë e ndërmarrjes së ambasadorit në Mal të Zi në Podgoricë, ka filluar të bëjë pagesa në shumat 10 mijë- 20 mijë euro. Shuma më e madhe ka qenë rreth 50 mijë euro. Shuma e përgjithshme e pagesave është përafërsisht 600 mijë euro”.

Pozar shton se “vlen të theksohet se ambasadori menjëherë pas pranimit të pagesave, ka bërë tërheqjen e të hollave, të cilat pastaj do t’i bartte te Robert Golobi në Lubjanë”.

Gazetari i TV Planet përmend edhe faktin se në kohën kur ndodhi e gjithë kjo, “Robert Golobi ka qenë Kryetar i Bordit të ndërmarrjes shtetërore energjetike sllovene. Më vonë supozohet se këto para Robert Golobi i ka investuar në disa fonde financiare italiane, të cilat ua mundësojnë investitorëve anonimitetin”.

Por, a mos është e gjithë kjo një histori e stisur për ta dëmtuar Golobin në zgjedhjet që mbahen të dielën në Slloveni, në mënyrë që t’i mundësohet kryeministrit aktual, Janez Jansha edhe një mandat?

Albanian Post e ka ballafaquar Pozar me atë që ka thënë Primoz Cirman, gazetar investigativ slloven. Pozar mohon, ndonëse thotë që e kupton se mediat tash në Slloveni do të tentojnë t’i japin një kahe të tillë.

“Shikoni, te ne zgjedhjet do të mbahen të dielën, dhe kjo mund të merret si pjesë e fushatës zgjedhore. Mirëpo këto supozime të cilat po i cekni ju, më shumë vënë në spikamë ato mediume sllovene, të cilat e përkrahin kandidatin Robert Golobin. Nuk ka kurrfarë dyshimi se mediat, të cilat janë të afërta me Janez Janshën dhe mediat të cilat janë të afërta me Robert Golobin, kanë pikëpamje të ndryshme për këto çështje dhe ato tani e sulmojnë TV Planet për çështjet për të cilat ne po diskutojmë”, deklaron ai, duke qeshur me deklarimet se TV Planet është media pro-Jansha dhe e diktuar nga oligarkë hungarezë.

Pozar në intervistë ka përmendur po ashtu faktin se “ambasadori është gjithashtu themelues edhe i një ndërmarrjeje në Prishtinë të përbashkët me Janez Bukovnikun, një personalitet i njohur në Slloveni, i cili njëkohësisht ka qenë drejtor i Lotarisë sportive të Sllovenisë, me të cilin ambasadori ka ndërmarrje në Prishtinë”.

Sipas tij, “ky është një tregues se ambasadori ka qenë partner me një numër të personaliteteve të njohura dhe me ndikim në sllovene për transaksione afariste jashtë Sllovenisë”.

Pozar thotë se ky lloj skandali me transaksione të dyshimta nuk është diçka e re në Slloveni.

Të tilla, deklaron ai, ka pasur edhe në të kaluarën.

“Përkatësisht është ky një model tanimë i etabluar i afarizmit i një pjese të elitës sllovene, me të cilën ambasadori është i involvuar”.

Të ngjashme